U lind më 30 janar 1985 në Prigodë të Istogut. Shkollimin fillor e mbaroi në Llukavc të Begut, atë të mesëm në Istog, kurse studimet universitare (themelore dhe master) i mbaroi në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës. Krahas studimeve në gjuhësi, në vitin 2008 u diplomua në Shkenca Politike dhe Administratë Publike në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.

Në vitin 2018 u doktorua në Universitetin e Evropës Juglindore në Shkup (Fakulteti i Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit).

Gjatë viteve 2004-2010 ka punuar gazetar në të përditshmet “Kosova sot” dhe “Koha ditore”.

Gjatë viteve 2006-2008 ka qenë anëtar i grupit Youth Voices Kosova në Bankën Botërore (Zyra në Prishtinë).

Gjatë viteve 2009-2015 ka punuar mësimdhënës i Gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollën “Zenit” dhe në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë.

Gjatë viteve 2018-2024 ka punuar mësimdhënës (ligjërues) në këto institucione të arsimit universitar:

Kolegji “Heimerer”(2018-2022);

Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”(2019-2020);

Fakulteti i Filologjisë i Universitetit “Fehmi Agani”, Gjakovë (2021-2022);

Kolegji “UBT”, (2022- 2024).

Në vitin 2021 është emëruar Këshilltar (ekspert i jashtëm) në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Gjatë viteve 2021-2023 ka qenë i angazhuar në MAShTI si recensent i disa teksteve shkollore të gjuhës shqipe: 2021-Gjuha shqipe 8; 2022-Gjuha shqipe 9; 2023-Gjuha shqipe 5.

Më 2022 është zgjedhur anëtar (hartues) i grupit të punës për hartimin e Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe.

Gjatë viteve 2020-2024 ka qenë anëtar i redaksisë së revistës “Gjuha shqipe”, IAP.

Më 2024 është zgjedhur redaktor në revistën “Gjurmime albanologjike”- seria e shkencave filologjike, IAP.

Me kontribute shkencore ka marrë pjesë në disa konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare të mbajtura në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Bullgari, Hungari, Turqi, Austri, Gjermani, Zvicër, Francë, Angli, ShBA.

Në vitin 2011, ka botuar vëllimin poetik “Përjetësisht”.

Gjatë viteve 2012-2024 ka botuar këta libra shkencorë:

  • Trajtime mbi gjuhën shqipe, Prishtinë, 2012.

  • Areali gjuhësor i Istogut me rrethinë, Instituti Albanologjik-Prishtinë, 2018.

  • Koha e ardhme e foljes në gjuhën shqipe (Lidhjet mes kohës, aspektit e modalitetit), Instituti Albanologjik-Prishtinë, 2019.

  • Fjalor i mikrotoponimisë së Istogut, Instituti Albanologjik-Prishtinë, 2020.

  • Shenjat e pikësimit në fletoret e punës së gjuhës shqipe (klasat 1-5),“Dukagjini”, Prishtinë, 2022.

  • Shqyrtime gjuhësore, Instituti Albanologjik-Prishtinë,

  • Çështje sociolinguistike të terminologjisë në mediet e Kosovës dhe të Shqipërisë, Instituti Albanologjik-Prishtinë, 2024.

Nga viti 2012 (prill) është punonjës shkencor në Degën e Gjuhësisë të Institutit Albanologjik të Prishtinës, ku aktualisht (2024) ka gradën e Bashkëpunëtorit shkencor.

Dr. Sejdi Gashi- CV narrative