Ma. Valon Shkodra

Valon Shkodra lindi më 13 prill 1984 në Prishtinë. Ka mbaruar studimet universitare për etnologji në Departamentin e Etnologjisë, Fakulteti Filozofik, Universiteti i Prishtinës. Studimet pasuniversitare i ndoqi në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit në Tiranë. Po ashtu, ka ndjekur studimet në Universitetin Turku në Finlandë, në Departamentin e Etnologjisë Evropiane, si bursist i mbështetur nga Komisioni Evropian në kuadër të programit Erasmus Mundus. Gjatë vitit 2012 ka qenë pjesë e programit International Visitor Leadership Program (IVLP) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Studimet e doktoratës i ndjek në Departamentin e Etnologjisë dhe Antropologjisë Kulturore në Universitetin e Lubjanës – Slloveni. Për dhjetë vite ka punuar në Muzeun Etnologjik të Prishtinës.

Nga viti 2017 punon në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në Degën e Etnologjisë, si hulumtues i pavarur shkencor. Monografia “Muzeu Etnologjik i Prishtinës dhe funksioni i tij” është libri i parë i autorit. Për disa vite ka qenë i angazhuar në disa projekte që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore në Kosovë.

Ka marrë pjesë në konferenca e aktivitete kulturore në Kosovë dhe jashtë vendit si: në Angli, Bullgari, Finlandë, Greqi, Mal të Zi, Maqedoni, Shqipëri, SHBA dhe Turqi. Gjithashtu, është anëtar në KUSA (Kosovo – United State of Alumni), ICOM (International Office of Museum), Kos-Fin Association, InASEA (International Association for Southeast European Anthropology). Fushat e tij të studimit janë: trashëgimia kulturore, muzeologjia, turizmi etj.