Dr. Arianit Buqinca

Dr. Arianit Buqinca

Lindi në fshatin Zabel i Ultë të Drenasit, më 9 shkurt 1987. Shkollimin fillor dhe të mesëm i kreu në vendlindje dhe në Drenas. Studimet universitare i kreu në Degën e Historisë të Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës. Si fitues i bursës së Qeverisë Franceze për studime në arsimin e lartë i kreu studimet e nivelit master në Universitetin Lumière Lyon 2, në Lion të Francës. Me bursë nga Qeveria Franceze i regjistroi studimet e doktoratës në po të njëjtin universitet, në Lion të Francës, në programin Histori dhe Arkeologji e Civilizimeve të Kohës së Vjetër. Në janar të vitit 2021 e mbrojti disertacionin e doktoratës me titull “Hulumtime për Dardanët VI-I p.e.s”.

Në tetor të vitit 2015 zgjedhet mësimdhënës i jashtëm në Degën e Antropologjisë\Arkeologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, për lëndët e Historisë së Kohës së Vjetër dhe Arkeologjisë.

Në vitin 2016 zgjedhet hulumtues i pavarur shkencor në Degën e Historisë të Institutit Albanologjik.

Fushat e tij të studimit janë: Historia e Kohës së Vjetër dhe Arkeologjia.

Ka realizuar hulumtime arkeologjike që nga viti 2007 në shumë vende, si: Ulpianë, Butrint, Apoloni, Kasterc, Harilaq, Vuçak, Vërbovc etj. Në vitin 2017, me bursë të École française de Rome ka realizuar hulumtime në Romë. Është pjesmarrës i disa aktiviteteve shkencore vendore dhe ndërkombëtare.

Është Anëtar hulumtues në Laboratorin HISOMA për Histori dhe Burime të Kohës së Vjetër në Lion të Francës dhe anëtar në Shoqatën “Miqtë e  Apolonisë” në kuadër të misionit franko-shqiptar në Apoloni.

Njeh gjuhët: frënge, angleze, italiane.

Aktualisht punon në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në Degën e Historisë.