Dr. Gëzim Aliu

Gëzim Aliu (1977), ka diplomuar dhe magjistruar në Degën e Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filologjisë, në Universitetin e Prishtinës. Një kohë ka punuar mësimdhënës i gjuhës shqipe dhe letërsisë, pastaj gazetar dhe redaktor i revistës “Albanica”, ndërkaq nga maji i vitit 2011 është hulumtues i pavarur shkencor në Degën e Letërsisë në Institutin Albanologjik.

Ka dhjetëra shkrime shkencore, publicistike, recensione dhe kolumne kulturore të botuara në revista e gazeta. Aliu është pjesëmarrës aktiv i konferencave kombëtare dhe ndërkombëtare për albanologjinë. Po ashtu, në qershorin e vitit 2011 ka prezantuar, së bashku me disa autorë të tjerë, letërsinë e re shqiptare të Kosovës në një manifestim letrar të mbajtur në Grac të Austrisë, organizuar nga qyteti i Gracit dhe revista “Lichtungen”. Në prill dhe maj të vitit 2012 ka marrë pjesë në programin “Writer in residence” (Shkrimtar në rezidencë), të KulturKontaktit, në Vjenë.

Përveç shkrimeve studimore dhe publicistike, Gëzim Aliu merret edhe me përkthime nga disa gjuhë të huaja. Në periudhën 2010-2012 ka qenë redaktor përgjegjës i revistës letrare “Jeta e Re”.

Gëzim Aliu ka botuar librin studimor “Diskurset e ideve në prozën e Kadaresë”, Prishtinë 2007, romanin “Në Klubin e të shëmtuarve”, 2009, që është shpërblyer me Çmimin Kombëtar si romani më i mirë i vitit 2009 dhe në tetor të vitit 2012 librin me tregime “Libri i fundit”. Pjesë të krijimtarisë së tij letrare janë përkthyer e botuar në revista letrare boshnjake dhe austriake.

Aktualisht është i angazhuar në projektin trevjeçar “Romanet e Ismail Kadaresë 1963-1990”.