Dr. Arben Hoxha

Dr. Arben Hoxha u lind më 16.06.1969 në Gjakovë, ku e kreu shkollimin fillor dhe të mesëm. Studimet në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe i mbaroi në vitin akademik 1993-1994.

Prej vitit 1996 punon në Institutin Albanologjik të Prishtinës në Degën e Letërsisë, fillimisht në cilësinë e praktikantit stazhier, më pas në cilësinë e hulumtuesi të pavarur, ndërsa tash punon në cilësinë e bashkëpunëtorit shkencor.

Në vitin 2001 ka mbrojtur temën e magjistraturës me titull “Poetika e prozës së Ernest Koliqit”.

Në shtator të vitit 2005 ka realizuar një qëndrim hulumtues-shkencor njëmujor në Fakultetin për Filologji dhe Shkenca kulturore në Universitetin e Vjenës – Austri.

Në vitin 2007, nga anëtarët e Degës së Letërsisë së Institutit Albanologjik të Prishtinës, është zgjedhur Sekretar i Redaksisë së Gjurmimeve albanologjike (Seria e shkencave filologjike).

Në vitin 2011 ka mbrojtur disertacionin e doktoratës me titull “Zhvillimi i kritikës letrare shqipe (1944-2000).

Që nga viti akademik 2009-2011e në vijimësi, në cilësinë e bashkëpunëtorit të jashtëm, është angazhuar si mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës në lëndët: Estetikë; Letërsi e sotme shqipe; Letërsi moderne shqipe; Letërsi romantike shqiptare; dhe Historia e letërsisë kombëtare shqiptare.

Është anëtar i kryesisë së LSHK (Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës) dhe anëtar i Institutit Alb-Shkenca.