Instituti Albanologjik edhe këtë vit bëhet pjesë e Panairit mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor, i cili zhvillohet në datat 23-25 prill 2024, si nismë e përbashkët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ky panair synon të bëjë të njohura arritjet më cilësore në botimet akademike, shkencore dhe universitare në të gjithë hapësirën shqiptare. Si i tillë, ky event bën bashkë autorët, botimet, institucionet e kërkimit dhe IAL-të që merren me librin akademik e shkencor dhe lexuesin e tyre.
Tri ditët e panairit, përpos ekspozimit të librit në stenda të dedikuara, përmes promovimeve të arritjeve në nivel akademik; përmes paraqitjes së botimeve më të reja të institucioneve të lidhura drejtpërdrejt me kërkimin shkencor, të kërkuesve; studiuesve, trupave pedagogjikë, botuesve, panairi do të shërbejë si një hapësirë dhe mundësi diskutimi mbi tema të rëndësishme të dijeve shqiptare, kërkimit shkencor dhe të drejtës së autorit.