Të nderuar Severan, Lurian, vëllezër, motra dhe familjarë të tjerë të Sylë Kasumajt,
Kolegë nga Instituti Albanologjik, miq, shokë, dashamirës e bashkëveprimtarë të Sylës,
Para 21 muajsh ishim mbledhur në një takim rasti për ta përcjellë në pension kolegun tonë, Sylë Kasumaj, i cili pas 35 vjetësh pune të palodhshme e me plot sfida përgjatë rrugëtimit të vështirë të mbijetesës së Institutit Albanologjik, me nder po e përmbyllte angazhimin e tij profesional. Ishte një takim bukur prekës, sepse na dukej sikur Syla do të na largohej pak, nuk do ta kishim praninë e tij të përhershme me të cilën me kohë ishim mësuar të gjithë. Ishte pranë secilit prej nesh, në gëzim e në hidhërim, në suksese dhe në dështime, si mbështetje dhe si ngushëllim. E lutëm atëherë që vazhdonte të na gjendej pranë me ekspertizën e rrallë, me përvojën e pasur dhe me këshillat e urta. Natyrisht patëm premtimin e tij dhe, po të ishte brenda mundësive njerëzore, ende do të na gëzonte prania e tij fizike. Megjithatë, nuk qe në dorën e tij, as të të gjithë neve, as të mjekëve më eminentë të së sotmes, që ta kishim edhe më tej mes nesh. Vdekja e Sylës, më 3 dhjetor 2022, na ka pikëlluar shumë, duke e përjetuar si një humbje të pazëvendësueshme për komunitetin tonë të albanologëve të këtij Instituti. Reagimet gjithandej, pas marrjes së lajmit të kobshëm, na kanë bindur se vdekja e tij ka lënë të pikëlluar edhe asociacione të tjera, albanologë, veprimtarë, individë të shquar të shoqërisë së Kosovës dhe të kombit tonë përgjithësisht. Si asnjëherë më parë, kemi marrë telefonata dhe imejla ngushëllimi nga autoritete shkencore dhe kulturore të krejt hapësirës shqiptare.
Ndonëse jeta e tij ngjante me jetën e një luftëtari fisnik që niset në beteja për qëllime të larta të drejtësisë, të nderit, të barazisë, të lirisë, shpeshherë edhe i vetmuar, Syla nuk e pranonte disfatën, besonte në drejtësinë si një vlerë themelore e shoqërisë njerëzore, pa shikuar prapa nëse ishte i pasuar nga të tjerët. Shumë herë jam bindur se vetëm koha ka qenë aleati i vetëm i tij. Edhe pse ajo i jepte të drejtë, nuk e kam parë asnjëherë të shfaqej si triumfalist. Fliste në kohën e duhur dhe heshtte kur fliste e vërteta për të cilën ishte angazhuar. Megjithatë, lufta me vdekjen kishte një përfundim tjetër, por as ajo nuk e ndryshoi karakterin e tij. E priti denjësisht fundin e paralajmëruar. Deri kah ditët e fundit nuk na munguan fjalët dhe mesazhet e tij. Lidhur me këtë dua t’i shpreh një mirënjohje të veçantë znj. Severan, e cila, me gjithë angazhimet e shumta rreth trajtimit shëndetësor të Sylës, na ka informuar rregullisht për gjendjen e tij.
Sylë Kasumaj, i njohur, në krye të herës, si sekretar i Institutit Albanologjik, ishte gjithashtu një dijetar i sferës së drejtësisë, intelektual dhe veprimtar i përkushtuar i çështjes shqiptare. E do rendi që në këtë fjalë mortore të them disa të dhëna biografike për të, ndonëse mund të jenë të njohura për të gjithë ju.
Sylë Arif Kasumaj u lind në Shqiponjë (ish-Jabllanicë) të Dushkajës më 29 shkurt të vitit 1956, në një familje me tradita atdhetare. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Gjakovë, ndërsa u diplomua në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, më 1978. Një kohë të shkurtër punoi si praktikant në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ndërsa nga viti 1979 punoi në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës deri në vitin 1987, kur punësohet sekretar i Institutit Albanologjik, detyrë të cilën e kreu deri në pensionimin e tij. Sylë Kasumaj ishte ndër juristët që kontribuoi shumë për krijimin e legjislacionit të Republikës së Kosovës, pas formimit të sistemit të pavarur të Kosovës në fushën e shkencës, të arsimit e të kulturës, si hartues i akteve ligjore dhe si anëtar i komisioneve përkatëse. Dekretligjet e fushës së shkencës, të arsimit dhe të kulturës të para 1999-s kanë pasur vulën e angazhimit të tij dhe të bashkëpunëtorit të tij, drejtorit të asokohshëm të Institutit Albanologjik, Prof. dr. Sadri Fetiut. Po kështu Syla dha ndihmesë për hartimin e akteve ligjore të këtyre fushave edhe në periudhën e pasluftës. Janë një varg angazhimesh të tij të vijueshme edhe në infrastrukturën ligjore të shoqatave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por ndihmë profesionale juridike sa i përket hartimit të akteve themeluese ofroi edhe për asociacionet e mërgatës shqiptare në Kroaci. Me një fjalë, Sylë Kasumaj, si njohës i mirë i çështjeve juridike, në vijimësi u mor me materie profesionale dhe gjithnjë mbi baza vullnetare. Rezultat i këtij angazhimi profesional është edhe “Fjalori i termave të drejtësisë”, botim i Institutit Albanologjik prej 6000 njësish terminologjike të jurisprudencës dhe prej 816 faqesh, që njëherësh përbën kontributin e tij jetësor në sferën shkrimore, një vepër të cilën e shkroi pothuajse gjatë gjithë jetës së tij profesionale. Edhe tani që po rishikohet Ligji për Veprimtari Kërkimore Shkencore ishte treguar i gatshëm të jepte ndihmesën e tij, me gjithë telashet shëndetësore që sa vinin e po i rëndoheshin. Fjalori i tij ishte ndër veprat më të kërkuara, jo vetëm pse përfshinte një numër të madh njësish terminologjike të fushës, por edhe për faktin se shpjegimet e termave ishin bërë me një gjuhë të qartë, e cila, si shenjë dalluese, e bënte njërin ndër juristët më të mirë në sferën e shkrimit të shqipes, veçmas të shqipes standarde. Nuk qe e thënë të përmbushte premtimin e tij për një kumtesë lidhur me terminologjinë juridike në konferencën e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, ku mëtonte të shtronte disa çështje të rëndësishme për diskutim.
Në planin e angazhimit intelektual Sylë Kasumaj ishte përherë në krahun e atyre që vepronin për të ndryshuar statusin e shqiptarëve, ishte mbështetës i pakompromis i rezistencës kombëtare për liri dhe i përkushtuar në ruajtjen e në kultivimin e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veçmas mbështetës i shoqatave që e trashëguan strukturën e saj.
Edhe sikur të flisja për orë të tëra, e shumta për Sylën do të mbetej e pathënë. Megjithatë, dua ta falënderoj për gjithçka ka bërë për ne, për afërsinë dhe dashamirësinë si tipare të njerëzisë së tij, për korrektësinë dhe profesionalizmin si tipare të formimit etik dhe të punës së tij; për sinqeritetin në raport me të gjithë, për modestinë e rrallëndeshur në kohën e sotme. Sylë Kasumaj do të mbetet një ekzemplar i rrallë prindi, familjari, kolegu, miku, intelektuali, profesionisti e veprimtari i denjë për respekt, një model njeriu të cilin do ta lakmonte secila shoqëri, një njeri që rrezaton pozitivitet në të gjitha sferat e jetës së tij. Syla është plotësisht brenda përkufizimit gjenial, sipas të cilit “Madhështia e njeriut nuk matet me pasurinë e tij, por me integritetin e tij dhe me aftësinë që të ndikojë pozitivisht në njerëzit që ka rreth vetes”. Ky rrezatim pozitiv i Sylë Kasumajt ka bërë që mes nesh të ketë më shumë harmoni, mirëkuptim dhe bashkëpunim.
Nisur nga fakti se Institutit Albanologjik, sikundër familjes e shoqërisë përgjithësisht, do t’i mungojë shumë, nga dëshira që të ruajmë një format pranie të Sylë Kasumajt në mesin tonë, me sekretarin aktual, z. Mustafë Shala, kemi marrë vendim të përbashkët që këtë fotografi të komemoracionit të tij ta vendosim në zyrën ku ai punoi, e ku do të qëndrojë, në shenjë respekti, sa të ekzistojë instituti ynë. Ndonëse nuk e kompenson mungesën e tij, shpresojmë që kjo fotografi e Sylë Kasumajt të na kujtojë vlerat e tij kolegjiale, profesionale, parimore e mbi të gjitha vlerat e tij njerëzore.
E, megjithatë, vdekja është fund i tmerrshëm vetëm për ata të cilët me të humbin gjithçka. Sylë Kasumaj nuk është i tillë. Ndonëse jeta e tij fizike është shuar, trashëgimia e tij intelektuale dhe morale, e shpërfaqur në një format tepër të veçantë të njeriut parimor, do të jetë një motiv i rëndësishëm që ta kujtojmë përherë.
Të nderuar pjesëmarrës në këtë akademi përkujtimore, familjarë, miq, dashamirë, kolegë, bashkëpunëtorë, të gjithë ju që e keni vlerësuar Sylën, duke përfunduar këtë fjalë të shkurtër, krahas ngushëllimeve më të sinqerta, ju shpreh mirënjohjen time që me praninë tuaj e nderuat Sylë Kasumajn, jetën dhe veprën e tij shumëplanëshe, kontributin që e dha pa kursim për familjen, Institutin Albanologjik, shoqërinë dhe Kombin.
Qoftë i paharrueshëm emri i Sylë Kasumajt!
Prishtinë, më 8 dhjetor 2022 Hysen Matoshi