05.05.2022: Vdes Prof. dr. Xheladin Shala

0
2

(3 gusht 1949 – 5 maj 2022)

Sot, u nda prej nesh, nga gjiri ynë, prej familjes së tij, nga sho­kët e tij, punonjësi shumëvjeçar në Degën e Historisë të Institutit Albanologjik Prof. dr. Xheladin Shala.

Prof. Xheladin Shala punoi rreth dyzet vjet në Institutin Albanologjik. Ai me punën e vet të pandërprerë shkencore, e afirmoi këtë institucion në rrafshin e historisë sonë kombëtare dhe asaj ndërkombëtare. Përmes studimeve të tij shkencore ai jo vetëm që ringjalli historinë tonë por edhe ndriçoi të vërtetën historike e cila shpesh herë është nëpërkëmbur edhe për qëllime jo vetëm shkencore.

Vdekja e tij, përveçse humbje e madhe për familjen, gjithashtu lë një zbrazëtirë të veçantë edhe në historiografinë dhe në kulturën shqiptare përgjithë­sisht.

Duke punuar për një kohë të gjatë në Institutin Albanologjik, përveç projekteve të realizuara, kumtesave të paraqitura e diskutimeve të bëra në aktivitetet shkencore, në mesin e kolegëve do të mbahet në mend edhe si një njeri i mirë, parimor, koleg i respektuar, gjithnjë i gatshëm të punojë e të bashkëpunojë me të tjerët.

Për të nderuar jetën, veprën dhe veprimtarinë e gjithëmbarshme profesionale dhe intelektuale, Instituti Albanologjik, në ambientet e tij, mban mbledhje komemorative, më 6 maj 2022, në orën 14.00

Varrimi i Prof. dr. Xheladin Shalës bëhet më 6 maj 2022, në orën 16:30, në Prishtinë.

Me këtë rast Instituti Albanologjik u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve, ish-nxënësve dhe ish-studentëve, kolegëve, bashkëpunëtorëve të shumtë dhe të gjithë atyre që e kanë njohur Prof. dr. Xheladin Shalën, që e kanë nderuar punën e tij si albanolog, si intelektual dhe si veprimtar.

Qoftë i përjetshëm kujtimi e nderimi për të!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here