Datë: 26.10.2021 -“Drejt një strategjie të albanologjisë”

0
21

Prof. dr. Hysen Matoshi

Fjala e mbajtur në konsultën “Drejt një strategjie të albanologjisë”, mbajtur në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, organizuar nga Akademia e Studimeve Albanologjike, më 26 tetor 2021

I nderuari rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike, Profesor Luan Përzhita, zëvendësrektor Profesor Valter Memisha, e nderuara rektore e Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, Profesoresha Suzana Golemi, drejtues të institucioneve pjesëmarrëse në këtë konsultë Skënder Asani, Sabit Syla, Ylber Sela, kolegë të tjerë, të nderuar të pranishëm,

Fillimisht dua t’ju falënderoj për mundësinë që t’ju drejtohem me një fjalë në konsultën “Drejt një strategjie të albanologjisë”, e cila është mundësia e parë që të këmbejmë idetë dhe përvojat tona si institucione albanologjike. Jam i bindur se të gjithë kemi çfarë të themi lidhur me rrjedhat e albanologjisë sot në hapësirat tona kombëtare, e cila zhvillohet në institucionet e specializuara albanologjike, por gjithashtu jam i bindur se nga ky takim do të pajisemi me të dhëna mbi mundësitë e bashkërendimit të aktiviteteve me qëllim të krijimit të një qasjeje të përbashkët lidhur me statusin e albanologjisë në sistemin e gjithmbarshëm të dijes dhe të shkencës në vendet tona. Kur them statusin e albanologjisë, në rastin e Kosovës, kam parasysh faktin se shkenca ende nuk trajtohet në parametrat e duhur si një veprimtari me interes të përgjithshëm shoqëror e kombëtar, por besoj që një situatë pak  a shumë e ngjashme është edhe në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut. Strategjia kombëtare e shkencës nuk është miratuar që nga viti 2015 për shkak të mosfunksionimit të Këshillit Kombëtar të Shkencës, ndërsa në strategjinë 5-vjeçare të miratuar më 2010 janë parë si prioritare të gjitha grupet e shkencave. Hiq institucionet e arsimit të lartë, të cilat kanë funksion dual dhe Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, që është akademi honorifike, Kosova ka vetëm dy institucione kërkimore-shkencore: Institutin Albanologjik dhe Institutin e Historisë.  

Instituti Albanologjik, si institucioni më i vjetër kërkimor shkencor për studimet shqiptare, është themeluar më 1953 dhe rithemeluar më 1967. Punën e tij e bazon në aktet përkatëse ligjore të Republikës së Kosovës dhe në nënaktet vetjake ligjore. Sa i përket hartimit të planit të punës, gjithnjë kur është fjala për përmbatjet dhe projektet shkencore, Instituti Albanologjik ka një autonomi të plotë veprimi, ndërsa në planin financiar është nënkod i Ministrisë së Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë, përkatësisht ka buxhet të veçantë, por nuk ka subjektivitet financiar dhe kjo gjë përbën një problem sa i përket aplikimit në grante të BE-së.

Disa nga prioritet tona kryesore si Institut Albanologjik janë:

  1. Plotësimi i kornizës ligjore për funksionimin e Institutit Albanologjik nëpërmjet miratimit të ligjit të veçantë;
  2. Subjektivizimi financiar nëpërmjet krijimit të një xhirollogarie të veçantë, në rend të parë si kusht esencial për aplikim në grante jashtëbuxhetore e sidomos në ato të BE;
  3. Shtimi i kuadrit krahasuar me gjendjen aktuale dhe krijimi i mundësisë së kualifikimit të tij në grada përkatëse shkencore, ngjashëm me praktikat e institucioneve tona homologe në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut;
  4. Në rrafshin financiar, krahas çështjes tashmë të rregulluar të pagave, të bëhet edhe buxhetimi i projekteve dhe mbështetja përkatëse për secilin prej tyre;
  5. Krijimi i një rrjeti të qëndrueshëm ndëralbanologjik me institucionet simotra nga hapësira shqiptare, dhe më gjerë, duke pasur për objektiv makroprojekte shkencore të përmasës gjithëkombëtare, aktivitete shkencore e veprimtari të përbashkëta kërkimore, kryesisht të tilla që lidhen me punën në terren; këmbimin e literaturës, ndihmën e ndërsjellë profesionale etj.;
  6. Akreditimi i Institutit Albanologjik në programet master dhe të doktoratës me qëllim të kualifikimit të kuadrove tona dhe më gjerë në disiplina të ndryshme albanologjike;
  7. Digjitalizimi i trashëgimisë së vjelë albanologjike në formate klasike, të cilat ruhen në fonotekën, fototekën dhe në Arkivin e shkruar të Institutit Albanologjik.

Të nderuar kolegë, krijimi dhe jetësimi i një strategjie që do të adresonte synimet më kryesore të albanologjisë si shkencë me interes për studimin e identitetit tonë të veçantë kombëtar, ku përfshsihen fushat filologjike, historiografike, kulturore dhe ato të trashëgimisë, është një hap i madh në drejtim të identifikimit të saktë të asaj se çfarë duam të arrijmë.

Që të bindim të tjerët për të na mbështetur në nismat tona të këtilla është e nevojshme ta bindim veten se kemi nevojë të ndërsjellë për njëri-tjetrin, duke e institucionalizuar sa më shumë bashkëpunimin, frytet e të cilit po ashtu do t’i kemi po ashtu të përbashkëta sidomos në planin e makroprojekteve. Instituti Albanologjik shpreh gatishmërinë që të bashkëpunojë me institucionet e ngjashme kërkimore shkencore me qëllim të avancimit të mëtejmë të rezultateve në fushën e studimeve shqiptare. 

S’do mend ky format bashkëpunimi e plotëson jetën tonë shkencore me prurje të reja, të konkurrueshme në rang botëror dhe lë më pak hapësirë për amatorizëm albanologjik dhe për qasje parashkencore me të cilat po përballemi në vijimësi viteve të fundit.

Duke uruar udhëheqjen e re të Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe duke çmuar nismën e rektorit Luan Përzhita për konkretizimin e bashkëpunimit, dua të shpreh gatishmërinë time e të Institutit Albanologjik për koordinimin dhe avancimin e mëtejmë të punëve të përbashkëta në interes të modernizimit të kërkimit shkencor dhe të plasimit të rezultateve në fushën e albanologjisë.