Dr. Arianit Buqinca

0
28

Dr. Arianit Buqinca

 
Lindi në fshatin Zabel i Ultë të Drenasit, më 9 shkurt 1987. Shkollimin fillor dhe të mesëm i kreu në vendlindje dhe në Drenas. Studimet universitare i kreu në Degën e Historisë të Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës. Si fitues i bursës së Qeverisë Franceze për studime në arsimin e lartë, i kreu studimet e nivelit master në Universitetin Lumière Lyon 2, në Lion të Francës. Me bursë nga Qeveria Franceze, i regjistroi studimet e doktoratës në po të njëjtin universitet, në Lion të Francës, në programin Histori dhe Arkeologji e Civilizimeve të Kohës së Vjetër. Në janar të vitit 2021, e mbrojti disertacionin e doktoratës me titull “Hulumtime për Dardanët VI-I p.e.s”.
 
Në tetor të vitit 2015, u zgjodh mësimdhënës i jashtëm në Degën e Antropologjisë/Arkeologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, për lëndët e Historisë së Kohës së Vjetër dhe Arkeologjisë, ku ishte i angazhuar deri në vitin 2022.
 
Në vitin 2016, u zgjodh hulumtues i pavarur shkencor në Degën e Historisë të Institutit Albanologjik, dhe në vitin 2022, u zgjodh Bashkëpunëtor shkencor.
 
Në vitin 2017, me përkrahje të “École française de Rome”, qëndroi për hulumtime shkencore në Romë.
 
Në korrik të vitit 2021, u zgjodh anëtar i bordit drejtues të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, Agjencion i Pavarur i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Më 30 tetor 2024, rizgjedhet në të njëjtën detyrë.
 
Në shtator të vitit 2023, u zgjodh Hulumtues i asociuar në Laboratorin për Histori dhe Burime të Kohës së Vjetër – HISOMA në Lion të Francës. Kërkimet që kryhen në këtë institucion me renome botërore kanë të bëjnë me Kohën e Vjetër, të përqasura përmes disiplinave shkencore të specializuara për kohët e lashta si arkeologjia, historia, studimet letrare, filologjia, epigrafia, numizmatika dhe ikonografia.
 
Në shtator të vitit 2023, u zgjodh Redaktor përgjegjës i Redaksisë së Fushës së Arkeologjisë dhe Lashtësisë për hartimin e “Enciklopedisë shqiptare”, projekt i përbashkët i Akademisë së Shkencave dhe e Arteve të Kosovës dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Që nga viti 2023, është anëtar i redaksisë së Revistës Gjurmime Albanologjike, Seria e Shkencave Historike, që botohet nga Instituti Albanologjik në Prishtinë.
 
Ka realizuar hulumtime arkeologjike që nga viti 2007 për vite me radhë në shumë lokalitete arkeologjike. Ka udhëhequr mbarëvajtjen e gërmimeve arkeologjike sektoriale gjatë hulumtimeve dhe restaurimeve për themelimin e Parkut Arkeologjik Ulpiana, Justiniana Sekunda; ka marrë pjesë në gërmimet arkeologjike në Parkun Arkeologjik të Butrintit, lokalitet i mbrojtur nga UNESCO; ka udhëhequr gërmimet sektoriale për 5 vite në Apolloni të Ilirisë, pastaj në Kasterc të Suharekës, në Kalanë e Harilaqit, në Kalanë e Vuçakut, në Hisar të Suharekës, në Kalanë e Vërbovcit e Gradinën e Llapushnikut, etj.
 
Aktualisht punon në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në Degën e Historisë, ku fushat e tij të studimit janë: Historia e Kohës së Vjetër dhe Arkeologjia. Është anëtar i Asociacionit të Arkeologëve të Evropës dhe anëtar i Shoqatës Arkeologjike “Miqt e Apollonisë”.
 
Në vitin 2022, Instituti Albanologjik botoi monografinë e tij shkencore të titulluar “Dardanët e Ilirisë (VI-I p.e.s.)”. Në tetor të vitit 2024, në kuadër të Degës së Historisë të Institutit Albanologjik, organizoi tryezën ndërkombëtare “Lëvizjet parahistorike dhe pastoralizmi transhumant”. Ka marrë pjesë në dhjetëra konferenca kombëtare e ndërkombëtare dhe ka botuar një numër punimesh studimore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here