Edicionit të botimeve të Institutit Albanologjik për vitin 2020 i është shtuar edhe studimi me titullin “Instituti Albanologjik 1953-1955” i autorit dr. Nuridin Ahmeti, bashkëpunëtor i lartë shkencor në Degën e Historisë të Institutit Albanologjik. Redaktor shkencor i këtij studimi është Prof. dr. Hysen Matoshi, kurse recensentë: Prof. dr. Fazli Syla dhe Prof. dr. Sadri Fetiu. Studimi ka gjithsej 479 faqe dhe përbëhet nga pjesa analitike-sintetizuese dhe pjesa dokumentare. Pjesa shtjelluese përbëhet nga këta kapituj: “Rrethanat socio-kulturore që i paraprinë themelimit të institutit albanologjik”; “Themelimi i Institutit Albanologjik”; “Punonjësit e Institutit Abanologjik”; “Ndërtesa dhe biblioteka”; “Strukturimi i Institutit Albanologjik dhe projektet shkencore” dhe “Mbyllja e Institutit Albanologjik”. Pjesa dokumentare përmban materiale arkivore me interes për historikun e Institutit Albanologjik dhe për zhvillimin e gjithmbarshëm të albanologjisë në Kosovë. Autori i librit ka punuar me shumë përkushtim për ta realizuar një vepër të veçantë historike, historikun e themelimit dhe të veprimtarisë trevjeçare të njërit nga institucionet tona më të rëndësishme shkencore – Institutit Albanologjik. Për këtë institucion, sidomos për fazën e tij fillestare të themelimit e të veprimtarisë në vitet e pesëdhjeta është shkruar deri tash pothuajse krejt përciptazi më rastin e përvjetorëve të ndryshëm të themelimit dhe të rithemelimit. Kanë munguar të dhënat themelore, të cilat i kanë paraprirë vetë aktit të themelimit, ato rreth strukturimit organizimit të punëve, të aktivitetit në fusha të ndryshme të albanologjisë, planifikimit të veprimtarisë në projekte praktike afatshkurtra dhe në synimet për një punë më të organizuar shumëvjeçare. Siç dihet, në vitet e pesëdhjeta, Instituti Albanologjik ka vepruar vetëm tre vjet, sepse pushteti shovinist i kohës e ka mbyllur në dhjetor të vitit 1955, pa dhënë ndonjë arsyetim të veçantë për këtë. Në këto rrethana deri vonë nuk është ditur se çka ka ndodhur me fondin e bibliotekës, me dorëshkrimet e materialeve folklorike, etnografike e gjuhësore që janë mbledhur ne terren nga bashkëpunëtorët e rregullt, ata të angazhuar, si edhe nga një numër vullnetarësh entuziastë të viseve të ndryshme të Kosovës. Nuk është ditur as për dorëshkrimet eventuale të projekteve të realizuara. Shumë nga këto paqartësi dhe hamendje është përpjekur që t’i ndriçojë autori i këtij libri, i cili ka bërë një punë të mundimshme hulumtuese në dokumente arkivore dhe në shtypin e kohës. Monografia “Instituti Albanologjik 1953-1955” e dr. Nuridin Ahmetit, gjithashtu, sajohet nga pjesa dokumentare dhe pjesa analitike e sintetizuese e autorit lidhur me periudhën e caktuar. Si kontribut i parë shterues i këtij lloji, ky studim krijon një pamje të plotë rreth përgatitjeve që i paraprinë themelimit të Institutit Albanologjik, vetë procesit intensiv të themelimit, faktorëve që ndikuan për ta ndërmarrë këtë hap, stafit të rregullt – drejtues dhe shkencor, bashkëpunëtorëve të jashtëm, përpjekjeve për ta funksionalizuar sa më shumë këtë institucion, pranisë së punës së tij në mediet e shkruara, projektet në të cilat punohej ose planifikohej të nisnin punët, pastaj edhe mbi çështjen e objektit ku ishte vendosur instituti, debatet rreth mbylljes së tij etj.
Zyrtar për Inicializim: Hazim Misini email:hazim.misini@rks-gov.net