DOLI NË DRITË KOMPLETI I VEPRËS SHKRIMORE TË ANTON ÇETTËS Nga:Hysen Matoshi

0
4

Në vazhdën e prezantimit të trashëgimisë sonë kulturore e shkencore kombëtare, të realizuar në kuadër të projekteve të Institutit Albanologjik, po del në dritë edhe kompleti i veprës shkrimore të Anton Çettës. Pa dyshim vëmendja e Institutit Albanologjik ka qenë e fokusuar edhe më parë te figura e tij. Kështu, më 2010 u organizua një sesion shkencor kushtuar figurës poliedrike të kulturës dhe përgjithësisht të botës shqiptare, folkloristit, dijetarit, shkrimtarit, pajtimtarit, Profesor Anton Çettës. Kontributet e vyera të kumtuesve u botuan në një vëllim të veçantë më 2010, si një bazë e mirë për qasje të mëtejshme studimore.Kompleti prej 13 vëllimesh përmban dimensione të ndryshme të veprimtarisë shkencore, profesionale, intelektuale e humane të Anton Çettës, por edhe mendimin e të

tjerëve për të. Është e kuptueshme që pjesa më e madhe këtyre vëllime përmbajnë folklorin e mbledhur, të redaktuar dhe të botuar prej tij. Ndonëse këto vëllime kryesisht kanë qenë të botuara për të gjallë të tij dhe si të tilla edhe të njohura për lexuesin tonë, konsiderojmë se si punë e gjithëmbarshme e A. Çettës funksionon më mirë në një kolanë të përbashkët. Një nevojë shtesë për botimin e kësaj vepre e përbënte edhe fakti se asnjëri nga këto vëllime nuk ndodhej më në qarkullim.

Në fushën e tij të veprimit, Profesor Antonit i takoi barra që ta fillonte, në planin institucional, mbledhjen, ruajtjen, botimin dhe studimin e folklorit shqiptar dhe e gjithë kjo do të bëhej nën kërcënimin e censurimit, të ndalimit dhe të mohimit të vlerave tona kombëtare. Gjatë punës në terren, i pajisur me zotësinë e ligjërimit alegorik popullor, që shfaqej në trajtë të meseleve, u drejtohej të pranishmëve në oda për të kërkuar miratimin e të folurit të lirshëm.

Pleqtë e mençur anembanë Kosovës, po ashtu me mesele ia kthenin përgjigjen dhe jo rrallë argatët e pushtetit viheshin në lojë me këtë lloj ligjërimi shpotitës e ironizues. Pra, kishte kujdes që të ruante, krahas materialit folklorik, edhe subjektin e tij. Dhe ky është një fakt tjetër tepër human i personalitetit të Anton Çettës, që dëshmon se ai, përveç qëllimit, e vlerësonte shumë edhe rrugën që duhej ndjekur deri tek realizimi i tij.

Në një kontekst të vështirë shoqëror, Profesor Antoni po niste njërin ndër projektet më të mëdha kulturore kombëtare të gjysmës së dytë të shek. XX, atë të mbledhjes, redaktimit, përgatitjes dhe botimit të blejve të folklorit tonë kombëtar, gjithsesi atëbotë të konceptuar në suazat e mundshme si “mbledhje sistematike e folklorit ndër shqiptarët në Jugosllavi”. Vetëm një njeri që, përveç dijeve të gjithanshme të fushës së folkloristikës, kishte edhe vizion të qartë për përmasën e materialit që do ta përmblidhte në projektin e tij, mund ta përkufizonte pothuajse me saktësi vëllimin përfundimtar të projektit. Ende kur nuk ishte mbledhur pjesa më e madhe e folklorit tonë letrar, Profesori parashihte që ai të konceptohej në 25 vëllime zhanrore që do të përfshinin të gjitha llojet, duke filluar nga ato më komplekse e deri tek llojet e shkurtra. Idetë e mëdha, projektet e mëdha, si rregull, lindin në kokat e njerëzve të mëdhenj. Dhe profesor Antoni nuk është i madh në fushën e folkloristikës shqiptare vetëm për faktin se e ideoi këtë projekt, ngase një kontribut tjetër i tij është ai i krijimit të modelit të hartimit të blejve. Ekipet e tjera që e pasuan në këtë projekt e kishin të trasuar rrugën e hartimit, metodologjinë, e kishin përvojën e tij të vyeshme, e cila ofronte përgjigje sa herë shfaqeshin vështirësitë.

Përgatitja e blejve kishte edhe vështirësi të tjera dhe do të veçoja sidomos dy sosh që lidhen me kategoritë e kohës e të hapësirës. Në kohë folklori transformohet, tjetërsohet, format e vjetra – arkaike zëvendësohen nga format e reja moderne, ndaj vonesa për faktimin e tij, nëpërmjet regjistrimit apo shënimit me shkrim, mund të bëhet edhe fundi i tyre. Folklori kombëtar, nga ana tjetër, shtrihet gjithandej hapësirës shqiptare, ndaj profesori rekrutonte, nëpërmjet këshillash, një numër të madh bashkëpunëtorësh të jashtëm, kryesisht mësues të gjuhës e të letërsisë, të cilët me korrektësi të rrallë i përfshinte në vëllime si mbledhës, ashtu sikundër edhe subjektet nga të cilët ishte vjelë akëcili krijim popullor.

Ndonëse profesor Antoni e ka kaluar pjesën më të madhe të veprimtarisë së tij folkloristike në punët rreth themelimit e ngritjes së Degës së Folklorit në kuadër të Institutit Albanologjik, pastaj rreth mbledhjes së lëndës folklorike, përgatitjes dhe botimit të blejve, nuk kanë munguar as ndihmesat e tij sa i përket studimit të folklorit shqiptar. Kujtojmë me këtë rast studimet e tij hyrëse për baladën dhe përrallën, që, pa dyshim, për kohën kur u shkruan, përbënin sinteza mbi të cilat u bazuan më pastaj projekte të veçanta të punonjësve të Institutit dhe përgjithësisht të folkloristëve tanë. S’do mend se një kontribut të madh e dha edhe sa i përket klasifikimit të prozës sonë popullore dhe veçmas në fushën e terminologjisë së shkencës së folkloristikës te ne.

Secili që nis një punë të mbarë dhe me një qëllim të lartë e fisnik, pa dyshim që do të jetë pjesëmarrës në të gjitha të mirat që rrjedhin nga puna e tij motivuese për brezat e mëpastajmë. Profesor Anton Çetta i flet të ardhmes nëpërmjet të kaluarës sonë. Në këtë format botimi, si një vepër komplete, do t’i flasë dijes shqiptare dhe opinionit tonë të gjerë si një tërësi unike.

Në fund të fjalës sime, dua të shpreh një faenderim për Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, me ministren znj. Hykmete N. Bajrami, e cila kontriboi me ndarjen e buxhetit për botimin e kompletit prej 13 vëllimeve të Profesor Anton Çettës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here