ARKIVI SHKENCOR
Arkivi mbledh, rregullon, përpunon dhe ruan lëndën arkivore të mbledhur në terren. Në këtë arkiv është dorëzuar, sistematizuar dhe përpunuar gati i tërë thesari i kulturës materiale e shpirtërore të shqiptarëve, i mbledhur në terren nga punëtorët shkencorë të Institutit dhe nga bashkëpunëtorët e tij të jashtëm. Deri para luftës kanë qenë të regjistruara 863 dosje që përmbanin mbi 100 mijë njësi arkivore nga fusha të ndryshme të albanologjisë. Një pjesë e madhe e këtij materiali është botuar në publikimet e Institutit. Rëndësi të veçantë paraqesin materialet e incizuara në bobina magnetofoni. Për shkak të kushteve të papërshtatshme për ruajtje, sidomos pas heqjes së Arkivit nga ndërtesa e Institutit, një pjesë e materies arkivore ka filluar të dëmtohet. Falë ndihmës së donatorëve ky material pjesërisht është incizuar në CD.
Gjatë periudhës së bombardimeve kur forcat serbe e kanë shfrytëzuar objektin e Institutit Albanologjik për t’u strehuar nga sulmet e bombardimeve të NATO-s, Arkivi shkencor është dëmtuar mjaft. Nga kjo periudhë mungojnë dosje të tëra të studiuesve dhe bashkëpunëtorëve të jashtëm, mungojnë vëllime të serive të publikimeve të vjetra, bobina me materiale të incizuara.
Sot Arkivi disponon dosje të dëmtuara të punëtorëve shkencorë, 112 dosje të bashkëpunëtorëve të jashtëm dhe 135 njësi etnologjike. Me gjithë gjendjen e varfëruar të këtij arkivi, përpjekjet për ta përtërirë dhe pasuruar nuk kanë reshtur.