U nda nga jeta Prof. dr. Fazli Syla
Në këto ditë të kobshme, kur vdekja po rrëmben pa mëshirë të afërmit tanë, mësuan lajmin për ndarjen nga jeta të Profesor Fazli Sylës. Familja Syla humbi sot anëtarin e kryefamiljarin e saj të dashur, Instituti Albanologjik humbi kolegun dhe drejtuesin e tij, Republika e Kosovës humbi personalitetin që u priu proceseve të rëndësishme të mëvetësimit të arsimit, të kulturës dhe të shkencës sonë, ndërsa albanologjia njërin ndër emrat e saj emblematikë, i cili veçmas la gjurmë në studimet folkloristike dhe në përvijimin e politikave arsimore, kulturore e shkencore të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Angazhimi i Fazli Sylës në krye të Bashkësisë Punuese të Shkencës të Kosovës për vite të tëra dhe për një mandat edhe në krye të resorit të Arsimit, të Shkencës dhe të Kulturës (1974-1978), sikurse edhe në shumë komisione e mekanizma të ndryshëm të rangut federativ, në të cilët ai përfaqësonte Kosovën, puna e tij nw institucione edukative-arsimore dhe shkencore hulumtuese, dëshmojnë për kapacitetin profesional, qëndrimin intelektual dhe parimësinë e tij etike, si hartues dhe zbatues i politikave me orientime kombëtare në këto fusha jetike.
Duke e vlerësuar vdekjen e tij si një humbje të madhe për shkencën tonë, Instituti Albanologjik u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve, kolegëve dhe të gjithë atyre që e kanë njohur Prof. dr. Fazli Sylën dhe që kanë pasur fatin të punojnë me të.
Varrimi i Profesor Fazli Sylës bëhet më 29.8.2020, në Istog, në përputhje me rrethanat e krijuara nga pandemia.
Të dhëna për jetën, veprimtarinë dhe veprën shkrimore të Prof. dr. Fazli Sylës
Fazli Syla lindi në Istog më 30.10.1935, ku kreu shkollën fillore, kurse Shkollën Normale e mbaroi në vitin 1954 në Prishtinë. Më 1957 diplomoi në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Shkollës së Lartë Pedagogjike të Shkupit dhe më 1960 diplomoi në Fakultetin Filozofik të Shkupit. Studimet e Shkallës së tretë i i mbaroi në degën e Letërsisë Komparative të Fakultetit Filozofik të Zagrebit, ku magjistroi më 1973 me temën “Pasqyrimi i rrethanave shoqërore e kulturore në poezinë popullore shqiptare”. Doktori më 1979 në Fakultetin Filozofik të Prishtinës me temën “Poezia popullore shqiptare e kaçakëve”.
Punoi si arsimtar në Gjurakoc të Istogut, edukator i Konviktit të Nxënësve të Shkollës Normale të Shkupit, në Redaksinë e Kulturës të Radio Prishtinës, profesor dhe drejtor i Gjimnazit të Prishtinës, udhëheqës i Shërbimit Amë të Bibliotekës Popullore dhe Universitare të Kosovës. Punoi edhe në krye të Bashkësisë së Punës Shkencore të Kosovës dhe në vitet shtatëdhjeta në Qeverinë e Kosovës mbajti resorin e ministrit të Arsimit, të Shkencës dhe të Kulturës (1974-1978). Ishte profesor i Fakultetit Filozofik të Prishtinës dhe këshilltar shkencor i Instituti Albanologjik të Prishtinës, si dhe zëvendësdrejtor dhe drejtor i Institutit (1986-1991). Për njëzet vjet (1978-1988) ishte kryeredaktor i revistës “Gjurmime albanologjike” – seria folklor dhe etnologji.
Për një periudhë prej më se dy dekadash (1970-1998) ishte pjesë e grupeve punuese, e këshillave koordinuese dhe organeve shtetërore të organizimit tonë institucional në fushën e arsimit, të shkencës dhe të kulturës në Kosovë dhe në nivel të organizimit federativ të kohës, duke u shquar si njohë si mirë i këtyre fushave.
Në disa mandate ishte anëtar i Pleqësisë së Arsimit të Kosovës, i Këshillit Drejtues të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare për të Huaj, anëtar i Pleqësisë së Universitetit dhe i Këshillit Shkencor të Universitetit, një mandat edhe kryetar i tij.
Prof. dr. Fazli Syla ka botuar disa vepra: “ Poezia popullore e kaçakëve” (1982), “Kënga dhe ngjarja historike” (1988), “Veprimtaria shkencore në Kosovë” (1995), “Çështje të folklorit shqiptar (1998), “Vëzhgime kumtime” (2007), “E kaluara në poezinë tonë popullore” (2012), “Në rrjedhat e kohës –dëshmi dhe përjetime” (2015) etj.
Ka dhënë ndihmesë edhe në përgatitjen për botim të materialeve folklorike, të anekdotave, të këngëve kreshnike dhe të këngëve historike, të gjitha të botuara në vëllime të veçanta nga Instituti Albanologjik i Prishtinës. Dy vëllime me anekdota dhe katër vëllime me këngë historike e bëjnë dr. Fazli Sylën bashkautor në rreth 3000 faqe materiale të botuara të trashëgimisë sonë folklorike. Ishte edhe bashkautor dhe hartues i teksteve shkollore, sikundër edhe i dhjetëra zërave bibliografikë studimorë të botuar në shtypin dhe revistat shkencore të kohës.