Më 16 maj 2020 u nda nga jeta njëri ndër punonjësit shumëvjeçarë të Institutit Albanologjik, Profesor Ramadan Ibrahimi, hulumtues në Degën e Etnologjisë.
Ramadan Ibrahimi u lind në Përplenicë më 15.9.1943. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen në Gjilan. Më 1969 diplomoi në Fakultetin Filozofik, Grupi i Gjeografisë, në Prishtinë. Pas kryerjes së studimeve, punoi si profesor i gjeografisë në Ferizaj.
Më 1972 pranohet kustos i etnografisë në Muzeun e Kosovës, për të kaluar në Institutin Albanologjik në vitin 1979 si bashkëpunëtor profesional në Degën e Etnologjisë. Në vitin 1987 u zgjodh në titullin hulumtues. Një kohë ka qenë udhëheqës i Degës së Etnologjisë. Deri në pensionimin e tij më 2008, ka botuar disa punime, trajtesa e recensione shkencore, si dhe ka marrë pjesë në disa aktivitete shkencore nga fusha e studimit të kulturës tradicionale. Ishte ndër pjesëmarrësit më të rregullt në ekspeditat kërkimore të Institutit Albanologjik që u organizuan për vjeljen e thesareve të kulturës tradicionale popullore të shqiptarëve.
Në periudha të vështira të organizimit të Institutit Albanologjik, Ramadan Ibrahimit, për një kohë të gjatë, iu besua udhëheqja e sindikatës së punonjësve të këtij institucioni.
Varrimi i Ramadan Ibrahimit bëhet, më 17 maj 2020, në Prishtinë.