Në një akademi solemne u shënua 60-vjetori i themelimit të Institutit Albanologjik. Ndër 200 pjesëmarrësit ishin punonjësit dhe bashkëpunëtorët e IA, por edhe përfaqësues të institucioneve shtetërore të Kosovës, të institucioneve arsimore e shkencore të vendit, të Shqipërisë, të Maqedonisë, autoritete të shkencës e të kulturës etj.
Drejtori prof. dr. Hysen Matoshi mbajti një fjalë rasti për rëndësinë që ka për studimet albanologjike puna 60-vjeçare e IA, duke u ndalur edhe tek gjendja aktuale dhe sfidat që e presin në të ardhmen.
Ministri i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë, z. Ramë Buja, vuri theksin te puna e madhe që e bën Institutit Albanologjik, duke shprehur gatishmërinë që ta përkrahë edhe në të ardhmen këtë institucion me traditë dhe rezultate në fushën e studimeve shqiptare.
Akad. Rexhep Qosja foli për rolin që pati Instituti Albanologjik për vetëdijesimin kombëtar të shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe kontributin dhënë zhvillimit të shkencës shqiptare.
Akademinë solemne të këtij përvjetori e përshëndetën edhe z. Islam Lauka, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Kosovë; prof. dr. Valter Memishaj, drejtor i Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë të Tiranës dhe prof. dr. Shefqet Zekolli, drejtor i Institutit për Trashëgiminë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Shkupit.
Sekretari shkencor i Institutit Albanologjik, prof.dr.Lulëzim Lajçi, në përmbyllje prezantoi 21 titujt e botuar nga Instituti Albanologjik gjatë vitit 2012.
Akademinë e begatoi, me dimensionin artistik, edhe kori i shkollës së muzikës “Prenk Jakova” të Prishtinës, i udhëhequr nga profesoresha Elife Podvorica.