NË INSTITUTIN ALBANOLOGJIK U PËRURUA VEPRA: Asqeri Lanaj, THANAS FLOQI, FIRMËTARI I PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

0
23

Për nder të 100 vjetorit të themelimit të shtetit të Shqipërisë, studiuesi i letërsisë, Asqeri Llanaj ka promovuar monografinë kushtuar rilindësit Thanas Floqi në Institutin Albanologjik në Prishtinë.

Autori i kësaj monografie, Asqeri Llanaj pasi tregoi disa detaje rreth jetës dhe veprës së atdhetarit Floqi,u shpreh se ky libër është një pasuri kombëtare.


Asqeri Llanaj, autor i monografisë

“Duke rënë në kontakt me atdhetarë të tjerë në Korçë, atdhetari Floqi sensibilizoi kombëtarizmin në këtë qytet. Së bashku me vëllaun e tij, juristin Kristo Floqi, morën rrugën për në SHBA ku ranë në kontakt me personalitete të rëndësishme shqiptare si, Sotir Peci, Fan Noli, Kristo Dako etj. dhe bashkarisht themeluan shoqatën “Malli i mëmëdheut” që më vonë iu bashkuan shoqatës kombëtare “Vatra”. Përveç atdhetarizmit, Kristo Floqi ishte mjaft i afërt dhe shoqërohej me të gjithë”, tha Llanaj.

Albanologia Resmije Kryeziu me kumtesën e saj, theksoi se Thanas Floqi ishte një nga ata që jetën e tij intelektuale dhe patriotike nuk e dëshmoi vetëm si firmëtar i pavarësisë, duke u renditur mes figurave të rëndësishme të kombit shqiptar, por shpirtin e tij krijues bëri përpjekje që ta artikuloj edhe në fushën e letërsisë.

Resmije Kryeziu

“Thanas Floqi, ndoqi idealet e rilindësve të cilët atdheun e tyre dëshironin ta shihnin të pavarur dhe të qytetëruar. Autori Llanaj në këtë monografi sjell 17 poezi të panjohura deri më tani për lexuesit dhe studiuesit shqiptar. Në këto poezi trajtohet edhe emancipimi i gruas. Nuk është rastësi që poezia “Gruaja” i paraprinë poezive tjera. Nga dhjetë poezi që i kushtohen gruas, në nëntë prej tyre ajo shkëlqen me virtytet që ka, duke e lënë në një poezi të vetme ku gruaja paraqitet në mënyrë të shfrenuar.”, theksoi Kryeziu.


Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik

Ndërsa, drejtori i Institutit të Albanologjisë në Prishtinë, Hysen Matoshi në trajtesën e tij “Përmasa e vendlindjes, përmasa e atdheut” tha se shpeshherë në perceptimin tonë, vendlindja është identifikuar me atdheun, por në fakt vendlindja si pjesë përbërëse e atdheut është miniatura e tij, që megjithatë mbetet mënyra më e mirë për ta ndier afërsinë e vendit ku jeton.

“Ky definim më së miri i përshtatet angazhimit të Asqeri Llanajt që nxorri në pah vlerat kombëtare të vendlindjes, historisë kombëtare. Me një pasion të rrallë, Llanaj me shumë vepra të tij i është përkushtuar tejet vendlindjes, duke shkruar edhe monografi me synimin që ta qartësojë të kaluarën, rolin dhe rëndësinë që kanë pasur ngjarjet dhe protagonistët e Cakrrës në zhvillimet me peshë për fatin e kësaj treve dhe atdheut.”, ka deklaruar Matoshi.

Kurse studiuesi i letërsisë Nuredin Ahmeti, me kumtesën e tij “Një për­mendore për kontributin e njërit nga firmëtarët e pavarësisë” tha se është i bindur që emri i juristit dhe veprimtarit të njohur shqiptar Thanas Floqit është përmendur kalimthi në disa simpoziume historike.

Nuredin Ahmeti

“Libri i Asqeri Llanajt në 212 faqe të monografisë kushtuar Flloqit i prezanton lexuesit njërën nga figurat kryesore të kulturës shqiptare. Sado që për këtë personalitet si njëri nga firmëtarët e parë të pavarësisë së Shqipërisë, në jubileun e 100-të të shtetit shqiptar u tha shumë pak. Megjithatë, veprimtaria e tij e gjithanshme në lëvizjen kombëtare nuk i shpëtoi penës së shkrimtarit Llanaj, ku kjo e bënë këtë autorë të jetë i veçantë, sepse po ta shohësh në opusin e tij krijues, ky autor shkruan tematika gjithnjë për personalitete të rëndësishme që janë në historiografinë tonë kombëtare.”, tha Ahmeti.

Hysen Matoshi pranon mirënjohje për Institutin Albanologjik nga shoqata atdhetare “Cakrani”

Më pas, Asqeri Llanaj Institutit Albanologjik ia dhuroi një CD me 37 fotografi të papublikuara më parë të patriotit Thanas Floqi. Gjithashtu, Llanaj këtij Instituti ia dhuroi edhe disa mirënjohje nga shoqata atdhetare “Cakrani”. /Kultplus/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here