Fjala e hapjes në Konferencën Shkencore, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Akademik Idriz Ajetit

0
21

KONFERENCË SHKENCORE NË 100 – VJETORIN E LINDJES 

SË AKADEMIK AJETIT AJETI

Instituti Albanologjik në Prishtinë dhe Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë në Tiranë, organizuan konferencë shkencore në nder të 100 -vjetorit të lindjes së akademik Idriz Ajeti .

Fjala e mbajtur në hapjen e Konferencës jubilare-shkencore me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Akademik Idriz Ajetit, organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Tiranës, mbajtur në Prishtinë, më 30 qershor 2017.

Prof. dr. Hysen Matoshi
I nderuari Akademik Idriz Ajeti,

Të nderuar

Z. Valter Memisha, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Tiranës,

Z. Roland Zisi, rektor i Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës,

Z. Ali Jashari, rektor i Universitetit “Fan Noli” të Korçës,

Të nderuar kolegë, familjarë, miq dhe dashamirës të Profesor Idriz Ajetit,

Historia e Institutit Albanologjik është histori në miniaturë e ngritjes së vështirë e me plot sakrifica të gjysmës së kombit shqiptar. Është histori edhe e shumë personaliteteve që do të tregoheshin me ndikim të madh në rrjedhat shoqërore e kombëtare të shqiptarëve të mbetur nën ish-Jugosllavi. Pjesa më madhe e jetëshkrimit shekullor të Profesor Idriz Ajetit është e ndërlidhur ngushtë me të gjitha fazat e themelimit, të strukturimit dhe të zhvillimit të Institutit Albanologjik. Profesori ynë ishte ndër bashkëpunëtorët e paktë të Institutit Albanologjik që në themelimin e tij më 1953, ishte pjesë e rëndësishme edhe me rastin e rithemelimit më 1967, si njëri ndër autoritetet kryesore të gjuhësisë shqiptare nga gjysma e dytë e shekullit XX e këtej, si drejtues dhe, pse të mos thuhet, edhe si ikonë identifikuese e këtij institucioni kërkimor-shkencor.

 Mbushja e një shekulli jetë përbën fatin e profesorit si individ, ndërsa qenia e tij në krye të një vargu të proceseve zhvillimore të sferës së arsimit, të shkencës, të ngritjes së kapaciteteve institucionale shoqërore e kombëtare të shqiptarëve në ish-Jugosllavi – përbën fatin tonë të madh si kolektivitet. Është vështirë të bësh një jetë shekullore, duke mbetur gjithnjë i lidhur për parimësinë profesionale, etike, kombëtare e njerëzore. 

Pa dashur të përmend atë shumëllojshmëri kontributesh, pa dashur të ndalem te theksimi i gatishmërisë së Profesorit që t’iu përgjigjet sfidave të kohës, do të fokusohem vetëm te disa postulate, që përbëjnë boshtin e parimeve të Profesor Idriz Ajetit.

Së pari, mund të thuhet se aksioma themelore profesionale e Idriz Ajetit në punën e tij studimore është e vërteta shkencore. E vërteta, si arritje e argumentuar diturore, e bazuar në faktografi dhe e interpretuar me një logjikë të akceptueshme edhe përtej arealit tonë kombëtar. Më parë se rezultatin e dëshiruar, sikundër ngjet shpesh në shkencën tonë, profesori e ka kërkuar rezultatin e dëshmuar dhe për këtë i ka ndihmuar e vërteta shkencore, vlera e së cilës kapërcen kohët dhe hapësirat.

Së dyti, në planin e angazhimit intelektual, shoqëror e kombëtar Profesor Idriz Ajeti ka dëshmuar konsistencën e tij, gatishmërinë e përhershme që në suaza të rrethanave objektive të angazhohet për zgjidhjet më të mira të mundshme të çështjeve, qofshin ato të interesit të veçantë, qofshin të interesit të përgjithshëm. Puna e tij, në këtë drejtim, është dëshmuar si këmbëngulëse dhe edhe frytdhënëse. Një varg arritjesh në sferën e arsimit, veçmas të atij të lartë, dhe në sferën e shkencës janë përjetuar edhe si arritje të përmasës kombëtare. Në këto procese, në të cilat elita intelektuale shqiptare e asokohshme ishte e angazhuar, Profesori ynë ka dhënë ndihmesë të çmueshme. Është interesant se, duke e bërë punën në heshtje, duke mos e trumbetuar zëshëm atë, ndonjëherë krijohet përshtypja sikur ky rol i tij disi është harruar dhe madje-madje edhe përvetësuar. Njohja e kontributit të Prof. Idriz Ajetit dhënë ngritjes së kapaciteteve institucionale albanologjike në Kosovë është një kusht i domosdoshëm për ta konceptuar historikun e studimeve shqiptare në mesin tonë. Nuk mund të shkruhet një histori albanologjie në këtë areal etnik shqiptar pa themeluesin dhe jetëdhënësin e saj.

Të nderuar të pranishëm,

Ndonëse ka kohë që profesori nuk del rregullisht Institut, pra vjen kohë pas kohe, ne nuk e përjetojmë asnjëherë si mysafir; është njëri prej nesh; puna, vepra dhe emri i tij janë prore mes nesh. Ndonëse askush nuk ka marrë vendim që zyra e tij dikurshme, tani salla e takimeve të Këshillit Drejtues, të pagëzohet me emrin e tij, të gjithë punonjësit tanë atë ambient e emërtojnë si “Zyra e Idriz Ajetit”. Natyrisht Profesori nuk na përket vetëm neve, ngase i përket edhe Universitetit të Prishtinës, edhe Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, edhe Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, edhe Kuvendit të Kosovës, edhe një vargu organizmash kombëtarë e shtetërorë; Idriz Ajeti i përket botës shqiptare si një vlerë e rëndësishme në proceset e vështira të mbijetesës e të përparimit tonë të përgjithshëm; i përket Prishtinës po aq sa edhe Tiranës, i përket Shkupit po aq sa edhe Medvegjës. Me një fjalë është një shenjë e një vlerë kombëtare identifikuese e përafruese që funksionon për së mbari qe një shekull. Në këtë vazhdë, edhe organizimi i kësaj konference, e cila ofron rreth vetes institucione e studiues nga anë të ndryshme të hapësirës sonë etnike, është një dëshmi më tepër e këtij funksioni përbashkues.

I dashur Profesor Idriz Ajeti, duke të falënderuar për praninë në hapjen e kësaj konference, urojmë nga zemra që t’ju kemi sa më gjatë mes nesh dhe urojmë që trashëgimia juaj diturore të na prijë drejt përparimit të mëtejmë të studimeve të mirëfillta për shqipen dhe për shqiptarët. 

Prishtinë, më 30 qershor 2017

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here