SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 35 VJETORIT TË BASHKIMIT TË ORGANIZATAVE ATDHETARE – THEMELIMIT TË “LËVIZJES”

0
4

Simpoziumi shkencor  “Themelimi i Lëvizjes dhe Heronjtë e 17 janarit 1982” do të organizohet nga Shoqëria “Lëvizja”, Institutit Albanologjik – Dega e Historisë dhe Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës më 17 janar 2017. Kjo veprimtari synon të kthejë vëmendjen te një ngjarje e rëndësishme, siç ishte bashkimi i organizatave atdhetare dhe themelimi i Lëvizjes, që kundruar në kontekstin kohor erdhi pas demonstratave të vitit 1981. Ky simpozium do të trajtojë  rrethanat e përgjithshme politike, ushtarake, ekonomike, arsimore, kulturore etj., në të cilat u ndodhën shqiptarët në fillim të viteve 80. Gjithashtu nëpërmjet tij synohet të ofrohet edhe një pasqyrë sa më e plotë e organizatave atdhetare-“ilegale”, vep­rimtaria e tyre për çlirim kombëtar si dhe masat që ndërmerreshin nga organet pushtuese jugosllave. Një vëmendje do t’iu kushtohet edhe personaliteteve që i paraprinë idesë së bashkimit të organizatave të ndryshme atdhetare shqiptare, ndër të cilët veçohet roli i Kadri Zekës dhe Jusuf Gërvallës si ideatorë, themelues dhe udhëheqës të Lëvizjes, që mbajtj e këtij simpoziumi përkon me datën e vrasjes së tyre. Interes përbëjnë edhe materiet që trajtojnë qëndrimin e shtetit shqiptar ndaj Lëvizjes atdhetare shqiptare në ish-Jugosllavi, por edhe politikën shtypëse-represive që ndiqte LKJ-ja dhe institucionet e tjera të shtetit jugosllav, pa lënë anash me këtë rast as jehonën që zhvillimet historike të kësaj kohe patën në opinionin botëror. Gjithsesi vëmendja më e madhe do t’i kushtohet themelimit të Lëvizjes dhe veprimtarisë së saj, e cila, sikurse do të dëshmohet, do të jetë një forcë me rol dhe rëndësi të veçantë në zgjidhjen e çështjes shqiptare. Ky është aktiviteti i parë shkencor që vë në fokus këtë ngjarje dhe mëton të jetë aktivitet tradicional vjetor.   

Simpoziumi do të zgjasë një ditë dhe do t’i zhvillojë punimet në Institutin Albanologjik, në Prishtinë. Pritet të marrin pjesë rreth 30 kumtues nga treva të ndryshme të gjeografisë kombëtare. Kumtesat që lexohen në këtë simpozium do të publikohen në një botim të veçantë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here