Nga data 2 nëntor e deri më 7 nëntor të vitit 2015, 34 punonjës shkencorë, profesionalë dhe bashkëpunëtorë të Institutit Albanologjik qëndruan për vizitë studimore e njohëse në disa qendra kryesore historike, kulturore e shkencore të Republikës së Turqisë. Vizita u bë e mundur në sajë të mbështetjes materiale e organizative nga Qendra Kulturore “Ataturk” me seli në Ankara dhe Instituti “Yunus Emre”, i cili e ka një përfaqësi edhe në Prishtinë.
Në programin 6-ditor të punës ishte paraparë qëndrimi i delegacionit të shkencëtarëve nga Instituti Albanologjik në më se 20 institucione të Turqisë dhe qendra të rëndësishme kulturore–historike të periudhës paraosmane, osmane dhe turke në Ankara, Konja, Bursa dhe Stamboll. Duhet theksuar edhe faktin se ky ishte ekipi më i madh i studiuesve shqiptarë nga Kosova të përfshirë në një aktivitet ndërkombëtar deri tani. Duhet thënë se qëndrimi i delegacionit të shkencëtarëve nga Instituti Albanologjik nisi me një vizitë të bërë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Ankara, ku u prit nga ambasadori z. Avni Spahiu me bashkëpunëtorë. Po kështu, në përfundim të qëndrimit, delegacionin e shkencëtarëve e takoi edhe konsulli i përgjithshëm i Republikës së Kosovës, z. Rrahim Morina.
Falë mikpritjes shembullore dhe organizimit të mirë, programi i vizitës në Turqi u realizua me një sukses të lartë. Punonjësit e Institutit kudo hasën në pritje të përzemërt dhe në një gatishmëri për bashkëpunim e ndihmë në interes të shkencës. Marrë parasysh faktin se shumë dëshmi kulturore, dokumentare shkrimore, që lidhen me shqiptarët, ruhen në institucione të Republikës së Turqisë, u shpreh gatishmëri e lartë që punonjësve nga Instituti dhe përgjithësisht nga Kosova t’iu krijohen lehtësira për shfrytëzimin e tyre.
Në një agjendë tërëditore takimesh dhe vizitash në institucione e monumente kulturore delegacioni i Institutit vizitoi këto institucione:
– Qendrën Kulturore “Ataturk”, ku u prit nga kryetari i saj, z. Derja Ors, zëv.kryetari, z. Shaban Abak dhe drejtori i Qendrës Kulturore, prof. dr. Turan Karatash;
– Institutin “Yunus Emre”, ku u prit nga zëvendësdrejtori Ebubekir Xhejlan me bashkëpunëtorë;
– Bibliotekën Kombëtare të Turqisë, ku u prit nga drejtori i saj z. Zylfi Toman;
– Bibliotekën e Dorëshkrimeve të Vjetra në Konja, ku u prit nga drejtori i saj, z. Bekir Shahin;
– Bibliotekën e Institutit të Historisë Turke në Ankara;
– Akademinë e Shkencave të Turqisë;
– Bibliotekën “Sulejmanie” të Stambollit;
– Institutin e Dorëshkrimeve etj.
Në dreka që u shtruan për punonjësit e Institutit Albanologjik, takime u realizuan edhe me nënkryetarin e Komunës së Bursës, z. Abdylkadir Karlıkun dhe drejtorin provincial të Kulturës dhe të Turizmit të Konjës, dr. Mustafa Çipanin.
Mikpritësit u njoftuan nga drejtori prof. dr. Hysen Matoshi lidhur me fushëveprimtarinë e Institutit Albanologjik, ndërkohë që në diskutimet e rastit albanologët shfaqën interesimin për institucionet vendëse për veprimtarinë e tyre, për fondet e trashëgimisë shkrimore, ruajtjen, restaurimin dhe përkujdesjen ndaj tyre etj. Kudo u shpreh gatishmëri e dyanshme për një bashkëpunim më të madh institucional shkencor.
Punonjësit e Institutit Albanologjik patën mundësi që të vizitojnë një varg muzesh dhe monumentesh kulturore e fetare të Ankarasë, Konjës, Bursës dhe Stambollit, si pjesë e trashëgimisë kulturore të periudhave selxhuke, osmane dhe turke. Po theksojmë vetëm disa sosh: Muzeu Etnografik dhe Muzeu i Qytetërimeve Anadolliane në Anakara; Muzeu “Karataj” dhe Muzeu i Medresesë në Konja; Muzeu i Migrimit në Bursa; Muzeu historik “Panorama 1453”, Muzeu “Aja Sofia”, Muzeu “Top Kapi” në Stamboll etj.
Po kështu, me interes ishin edhe vizitat e bëra në komplekse e monumente fetare të këtyre qyteteve, si në: xhaminë “Haxhi Bajrami” në Ankara; Kompleksin e Mevlanait në Konja; komplekset “Emirsulltan”, “Muradije”, “Sulltan Murad”, “Jeshil Tyrbe” etj. në Bursa; xhamitë “Ahmedije” dhe “Sylejmanije”, kompleksin e varrezave të Qyprilinjve në Stamboll etj.
Kjo vizitë me qëllime studimore e njohëse është një hap drejt një epoke të re të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve mikpritëse dhe Institutit Albanologjik.
Për të gjitha këto, veçmas për mundësinë e pajisjes me njohuri të reja, për mundësinë e njohjes nga afër institucione e kolegë nga Turqia, për mundësinë e këmbimit të ideve të para të bashkëpunimit, Instituti Albanologjik falënderon mikpritësit, institucionet shtetërore e shkencore-kulturore të Republikës së Turqisë.
Ishte bindje e përgjithshme se ky aktivitet do të jetë një nxitje për bashkëpunim shkencor institucional në të gjitha drejtimet, veçmas lidhur me projektet ndërkulturore, të cilat deri tani, pothuajse, kanë munguar tërësisht.