“Java e albanologjisë” është aktiviteti tradicional shkencor i Institutit Albanologjik, dhe ka për qëllim prezantimin e rezultateve shkencor të albanologëve nga vendi dhe bota.
Sivjet mbahet për të gjashtën herë dhe është konceptuar në kuadër të pesë sesioneve të veçanta të disiplinave albanologjike: gjuhësi, letërsi, histori, folklor dhe etnologji.
Gjatë pesë ditëve, në kuadër të pesë sesioneve, do të shpalosen rezultatet e punonjësve shkencorë të Institutit Albanologjik dhe të albanologëve nga institucione të tjera të Kosovës, të Shqipërisë, të Maqedonisë etj. Temat e sesioneve ofrojnë mundësi të qasjeve të shumta disiplinare dhe do të jenë një shtysë për debate të mëtejshme shkencore e për rezultate që çojnë përpara kërkimet albanologjike
Java e Albanologjisë do t’i zhvillojë punimet në Prishtinë nga data 15 qershor – 19 qershor 2015.
Hapja solemne e Javës së Albanologjisë, mbahet më 15 qershor 2015, në orën 10:00.
SESIONET SHKENCORE, 15 – 19 qershor 2015
SESIONI I GJUHËSISË, 15 qershor 2015
Tema e bosht: “PRURJE LEKSIKORE DHE LEKSIKOGRAFIKE NË FUSHË TË SHQIPES”
SESIONI I LETËRSISË, 16 qershor 2015
Tema e bosht: “ROMANI SHQIPTAR (1990-2010)”
Ndryshimet e hartës gjeopolitike e ideologjike të fillimviteve ‘90 të shekullit XX do të përbëjnë një moment ri për ndërgjegjen krijuese të shkrimtarëve shqiptarë. Shkatërrimi i rendit të marrëdhënies monolite ndërmjet agjentëve politikë, socialë, ekonomikë, antropologjikë, estetikë etj., – i vendosur në kontekstin e botës gjeopolitike bipolare – në kontekstin e botës postbipolare, për pasojë, do të prodhojë fenomenin e “çarjes epistemologjike” të skemës kognitive të ndërgjegjes artistike të shkrimtarëve shqiptarë. Ndërgjegjja artistike do të vihet në një kontekst ambivalent perceptimor: ajo do të jetë subjekt dhe objekt i perceptimit. Në qoftë se para viteve ‘90 ndërgjegjja artistike letrare do të jetë e fiksuar pas një mënyre trajtimi të ekzistencës së objektit të vet (njeriut) të dhënë brenda një bote të mirëpërcaktuar, pas ndryshimeve politike të viteve ‘90 ndërgjegjja artistike letrare shqiptare do të vihet në situatë dileme përballë shumësisë së mënyrave të ekzistencës të objektit të vet të hedhur në një hapësirë të pafundme ekzistence.
Ndryshimi i situatës perceptimore do të ndikojë në ndryshimin e objekteve qëllimore të ndërgjegjes krijuese të shkrimtarëve: në vend se sugjerim i marrëdhënies së njeriut me botën sipas një koncepti të dhënë a priori, në fillimvitet ‘90 objekt qëllimor i ndërgjegjes artistike letrare do të jetë ndriçimi i ekzistencës së njeriut dhe botës që e rrethon. Ky ndryshim i paradigmës perceptimore, në letërsinë shqipe mëshirimin e vet do ta gjejë në roman, si një nga zhanret me mundësi të mëdha shprehëse dhe zbulimi të vërtetash për ekzistencën dhe natyrën e qenies njerëzore.
Si është manifestuar kjo paradigmë perceptimore e ndërgjegjes artistike në romanin shqiptar në harkun kohor 1990-2010 ? Sa ajo ka arritur që t’i shfrytëzojë hapësirat e zhanrit romanor në funksion të zbulimit të realiteteve të qenies kombëtare e shoqërore shqiptare? Sa ka arritur ajo të depërtojë në zonat e qenies morale, psikologjike e njerëzore të njeriut të këtij nënqielli ? Cilat janë burimet që ajo i ka përdorur për ndriçimin e realitetit të gjendjes njerëzore të njeriut të këtij nënqielli? Sa ato burime janë treguar efikase për ndërtimin e refleksionit rreth marrëdhënies së unit tonë kolektiv me botën dhe me Tjetrin, si pjesë integrale e botës? Sa ndërgjegjja letrare artistike ka arritur që, përmes romanit, ta ndriçojë praninë e vetës sonë në botë dhe praninë e botës në veten tonë? Në të vërtetë, romani shqiptar, i krijuar në harkun kohor 1990-2010, a është udhëhequr nga ideale të tilla refleksioni me qëllim ndriçimi të realitetit të gjendjes njerëzore të njeriut të këtij nënqielli, apo ai është përdorur si fushë-loje për kënaqjen e vetvetes? Cilat metoda krijuese, cilat poetika dhe cilat mjete stilistike, kompozicionale e narratologjike, ndërgjegjja artistike i ka përdorur për materializimin e kuptimeve që ajo ka prodhuar për natyrën njerëzore brenda zhanrit romanor?
Pyetjet e tilla mendimin shkencor letrar e vënë para sfidave të reja njohëse; e vënë para mundësish pikëvështrimesh të reja analitike e sintetike për të hedhur dritë mbi thelbin e gjendjes së romanit shqiptar brenda këtyre dy dekadave të ekzistencës së vet.
Duke marrë parasysh rëndësinë që ka për shkencën letrare shqiptare ndriçimi i gjendjes së romanit shqiptar brenda harkut kohor 1990-2010, kemi kënaqësinë t’ju ftojmë të merrni pjesë në Sesionin shkencor me temën Romani shqiptar (1990 – 2010), të cilin e organizon Dega e Letërsisë e IAP-së në kuadër të aktivitetit të përvitshëm shkencor “Java e Albanologjisë” që e organizon Instituti Albanologjik i Prishtinës.
Tezat: “ROMANI SHQIPTAR 1990-2010”
· Bashkëkohësia dhe moderniteti i romanit shqiptar 1990-2010;
· Romani dhe dija;
· Temat dhe motivet e romanit të kësaj periudhe
· Universalja dhe lokalja në romanin shqiptar (190-2010);
· Postmodernizmi në romanin shqiptar të periudhës 1990 – 2010;
· Elementet autobiografike në romanin e periudhës 1990 – 2010;
· Stili dhe forma;
· Pikëshikimet narrative dhe modeluese
· Botëkonceptimet në romanin shqiptar në periudhën 1990 – 2010;
· Refleksioni për gjendjen njerëzore në romanin shqiptar në periudhën 1990 – 2010;
· Tipologjia e romanit në periudhën 1990-2010;
· Ndryshimet tematike e formale në krahasim me romanin shqiptar të para vitit 1990;
· Defabulizimi dhe fragmentarizmi i strukturës narrative;
· Kontinuiteti i shkrimit të romaneve që nuk i “përfillin” trendet e reja stilistike;
· Antitotalitarizmi, si ide dhe ideal në romanet e kësaj periudhe;
· Angazhimi antitotalitar në kushtet e lirisë;
· Romani si shprehje e kujtesës shoqërore;
· Ndikimi i romanit botëror në romanin shqiptar të periudhës 1990 – 2010;
· Romani shqiptar i diasporës;
· Romani shqiptar (1990-2010) dhe utopia;
· Diktatura komuniste jugosllave në romanin shqiptar;
· Karakteristikat e personazheve dhe tiparet e karaktereve;
· Tabutë dhe thyerja e konvencave;
· Romani shqiptar dhe kiçkultura;
· Romani shqiptar dhe teknologjia;
· Romani shqiptar për fëmijë;
· Romani shqiptar dhe kritika mbi të.
SESIONI I HISTORISË, 17 qershor 2015
Tema e bosht: “KËNDVËSHTRIMET E TË HUAJVE MBI SHQIPTARËT”
Tezat:
· Autoret antike mbi paraardhësit e shqiptarëve
· Çështja fetare te shqiptarët në optikën e udhëpërshkruesve të huaj
· Shqiptarët në shkrimet e autorëve bizantinë
· Trajtimi i figurës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe luftës së shqiptarëve kundër osmanëve .
· Raportet e tregtarëve të huaj mbi shqiptarët
· Raportet e diplomatëve të huaj mbi shqiptarët
· Misionarët e huaj në mjediset shqiptare dhe këndvështrimi i tyre mbi ta.
· Shkrimet mbi shqiptarët në mjetet e informimit publik të huaj (gazeta dhe revista)
· Shtypi i përditshëm dhe ai periodik osman për shqiptarët
· Relacionet e zyrtarëve osmanë mbi shqiptarët
· Shqiptarët në shkrimet e autorëve osmanë
· Trojet shqiptare në hartat e të huajve.
· Udhëpërshkruesit e huaj mbi shqiptarët
· Kontributi shkencorë i të huajve për albanologjinë
· Personalitetet e shquara shqiptare në optikën e autorëve të huaj.
SESIONI I FOLKLORIT, 18 qershor 2015
Tema e bosht: “FOLKLORI SHQIPTAR TE AUTORËT E HUAJ”
Një sërë misionarësh, udhëpërshkruesish, hulumtuesish e studiuesish, të cilët qëndruan për një kohë të caktuar në viset e Ballkanit edhe pse nuk patën për qëllim parësor studimin e shqiptarëve, u entuziazmuan nga folklori, zakonet dhe traditat shqiptare, dhe i vlerësuan si tipare shumë specifike për prezantimin e kulturës sonë. Kontakti, afërsia dhe mundësia e të bashkëjetuarit me banorët e këtyre zonave, ndikoi që shumë nga këta të huaj të mishërohen me mentalitetin, me mënyrën e të jetuarit, mënyrën e të shprehurit, të ushqyerit, të kënduarit, me mënyrën e të organizuarit të jetës, familjes e shoqërisë, por edhe me raportin shumë të veçantë që ndërtojnë shqiptarët me mikun – mikpritja shqiptare.
Përballja me veçoritë etnike të shqiptarëve, me tiparet karakteristike të folklorit e traditës sonë, ka bërë që shumë prej tyre, të inspirohen për të shkruar libra për kulturën shqiptare, qoftë në formë ditarësh e përshkrimesh të përvojave personale, por edhe në formë studimesh që vijnë si rezultat i analizave e hulumtimeve të thella linguistike, historike, antropologjike, etj. Jo gjithmonë me qëndrime të drejta e të pranueshme për ne, por shumë herë të shprehura në mënyra realiste e pa hiperbolizime, veprat e këtyre autorëve të huaj ishin dhe janë një mundësi e mirë për ta parë pasqyrimin tonë me sytë e tjetrit. Aq më tepër, kur e dimë faktin se veprat e këtyre autorëve, për një kohë shumë të gjatë ishin reprezentuesit e vetëm të kulturës sonë për botën joshqiptare. Të pëlqyeshme ose jo, të sakta ose jo, veprat e autorëve të huaj në të cilat janë trajtuar veçoritë tona, të folklorit, të traditës e vlerave të tjera etnike, e përbëjnë një trashëgimi të rëndësishme të kulturës sonë.
Prandaj, Dega e Folklorit ju fton që të paraqiteni me kumtesa ku do të trajtohen folklori dhe traditat shqiptare në veprat e autorëve të huaj, disa nga të cilët i kemi renditur më poshtë. Janë të mirëpritura edhe veprat e autorëve të huaj që dalin përtej kësaj liste, por të cilat kanë pasur për objekt trajtimi folklorin dhe traditat shqiptare.
Tezat: “FOLKLORI SHQIPTAR TE AUTORËT E HUAJ”
· Evliya Çelebi (1611-1682)
· François Pouqueville (1770-1838)
· William Martin Leake (1777 – 1860)
· Jernej Bartol Kopitar (1780 – 1844)
· Vuk Stefanović Karadžić (1787 –1864)
· George Gordon Bajron (1788-1824)
· Johann Georg von Hahn (1811 – 1869)
· Karl Reinhold (1834-1880)
· Gustav Meyer (1850 – 1900)
· Mathias Murko (1861 – 1952)
· Edith Durham (1863-1944)
· Holger Pedersen (1867 – 1953)
· Franz Baron Nopcsa (1877 – 1933)
· Milan Šufflay (1879 – 1931)
· Dimitrije Tucović (1881 – 1914)
· Maximilian Lambertz (1882 – 1963)
· Rose Wilder Lane (1886 – 1968)
· Fulvio Cordignano (1887 – 1952)
· Milman Parry (1902 – 1935)
· Albert Bates Lord (1912 – 1991)
· Agnija Desnickaja (1912-1992)
· Berit Backer (1947 – 1993)
· Antonia Young
· Robert Elsie
· Jane C. Sugarman
· Anna Di Lellio
SESIONI I ETNOLOGJISË, 19 qershor 2015
Tema e bosht: ETNOLOGJIA DHE GJINIA
Shoqëritë dhe struktura e tyre vazhdimisht janë vëzhguar dhe analizuar edhe nga aspekti gjinor. Në punimet e hershme antropologjike dhe etnologjike seksi dhe gjinia studioheshin si të pandara dhe të dhëna. Që nga vitet e 70 gjinia studiohet si konstrukt shoqëror i cili shpreh aspekte të ndryshme kulturore, sociale e politike. Në këtë konferencë dëshirojmë të shohim një kontribut të studiuesve lidhur me çështjet gjinore dhe shkencën e etnologjisë duke analizuar aspektet e ndryshme shoqërore, kulturore e politike, si bashkëkohore ashtu edhe tradicionale.
Edhe pse mund të mendohet se kërkohen kryesisht temat që kanë të bëjnë vetëm me gratë, gjendjen e tyre në kohë të caktuara por edhe në vijimësinë historike kulturore, të mirëseardhura janë punimet ku adresohen gjithashtu roli i maskulinitetit në shoqëri, por edhe “burrnia” si koncept më i ngushtë kulturor në të cilin reflektohen raportet shoqërore por edhe morale.
Përveç kësaj, çështjet e seksit dhe seksualitetit dhe formimi i grupacioneve me identitete të veçanta në përputhje me to, si dhe pranimi dhe adaptimi i tyre në shoqërinë e sotme, janë tema me shumë interes dhe të pashtjelluara deri më tash.
Një përvojë interesante në kulturën tonë në lidhje me seksin dhe gjininë dhe konstruktimet shoqërore e kulturore na paraqet kategoria e virgjëreshave të betuara.
Për ndihmesë po shtrojmë disa teza të mundshme të cilat edhe mund të zgjerohen me propozimet e juja.
Tezat: “ETNOLOGJIA DHE GJINIA”
· Gjinia dhe ndarja e punës (në traditë dhe/apo në bashkëkohësi)
· Gjinia dhe prona private/ trashëgimia
· Gjinia dhe tabutë në kulturën tradicionale
· Gjinia dhe sfera publike e private (në traditë dhe/apo në bashkëkohësi)
· Gratë dhe transnacionalizmi
· Gjinia, pushteti, shteti dhe përmbushja /mospërmbushja e kritereve demokratike
· Gjinia, moderniteti dhe emancipimi gjinor
· Gjinia, religjioni
· Gjinia dhe pozita e hulumtuesit në studime (përvojat empirike)
Afati për dërgimin e titullit të kumtesës dhe të abstraktit të bashkëngjitur është 30 prill 2015. Abstrakti është i domosdoshëm! Programi ju dërgohet më 20 maj 2015.
Ftesat zyrtare dhe detajet e tjera lidhur me akomodimin, do t’i merrni me kohë nga Këshilli Organizativ i Javës së Albanologjisë.
Adresa/e-maili :
Instituti Albanologjik : institutialbanologjik@gmail.com
Drejtori : matoshi1@yahoo.com
Sekretari shkencor : lulzimlajqi@hotmail.com
Dega e Gjuhësisë : qemalmurati@hotmail.com
Dega e Letërsisë : fadil_1063@hotmail.com
Dega e Historisë : memlikr@hotmail.com
Dega e Folklorit: leontina_gm@hotmail.com
Dega e Etnologjisë : bashkim.lajci@gmail.com
KËSHILLI DREJTUES