Vepra e Stipqeviçit përurohet në Zagreb

0
3

Instituti Albanologjik, në bashkëpunim me Këshillin e Pakicës Shqiptare të Zagrebit dhe Shoqatën Kroato-Shqiptare, bëri përurimin e veprës “Kultura tradicionale e arbëneshëve të Zarës” të Aleksandar Stipqeviçit. Përurimi u mbajt në Sallën e Qytetit të Zagrebit, më 20 mars 2015, ndërsa këtë aktivitet me pjesëmarrje e nderuan, në mënyrë të veçantë, ministri i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë i Kosovës, z. Arsim Bajrami; ambasadorja e Republikës së Kosovës, znj. Shkëndije Geci – Sherifi; ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kroaci, z. Ilir Melo; kryetarja e Këshillit të Pakicës Shqiptare në Zagreb, znj. Merdita Agai; kryetarja e Shoqatës Kroato-Shqiptare, znj. Mirjam Deponte; përfaqësuesi i Entit Leksikografik të Kroacisë “Mirosllav Kërlezha”, z. Mlladen Klemenqiç; përfaqësues të shtëpisë botuese IBIS të Zagrebit (botuese e versionit kroat të librit), intelektualë, studentë, dashamirës dhe njohës të veprës shkencore të Aleksandar Stipqeviçit. 

Pas fjalëve përshëndetëse të Ministrit Bajrami, kryetareve Agai dhe Deponte, kumtesën e parë e mbajti dr. Sadri Fetiu, përkthyes i veprës në gjuhën shqipe, i cili e vlerësoi lart kontributin studimor monografik të Stipqeviçit. Për këtë botim të Institutit Albanologjik dhe për vlerat e tij shkencore një fjalë e mbajti edhe dr. Hysen Matoshi. Anëtarët e shoqatës shqiptare “Mërgimtari” të Zagrebit lexuan pjesë nga folklori letrar i arbëreshëve. Ndërkaq, sekretari Sylë Kasumaj paraqiti para të pranishmëve një informacion të shkurtër mbi veprimtarinë, historikun, strukturën dhe rezultatet e Institutit Albanologjik.

Po më 20 mars 2015, drejtori i përgjithshëm të Entit Leksikografik të Kroacisë “Mirosllav Kërlezha”, dr. Antun Vujiç dhe ndihmësdrejtorja Ankica Shunjiç, pritën drejtorin e Institutit Albanologjik të Prishtinës dr. Hysen Matoshin, ish-drejtorin dr. Sadri Fetiun dhe sekretarin e Institutit, z. Sylë Kasumaj, të cilët shoqëroheshin edhe nga sekretarja e Këshillit të Pakicës Shqiptare në Kroaci, znj. Melita Oreshkoviq. Takimi u zhvillua në kontekst të përpjekjeve të Institutit Albanologjik të Prishtinës për intensifikimin e bashkëpunimit me institucione shkencore, diturore e kulturore ndërkombëtare. 

Parimisht nga të dyja palët u theksua nevoja e bashkëpunimit institucional që do të nisë me këmbimin e botimeve, por edhe me bashkëpunimin në projekte me interes të dyanshëm, veçmas sa i përket hartimit të fjalorëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here