Më 15 tetor 2014, në ambientet e Institutit Albanologjik, u mbajt Konferenca shkencore “Shqiptarët në rrjedhat e Luftës së Parë Botërore (1914-1918)”, organizuar nga Instituti Albanologjik dhe Instituti i Historisë “Ali Hadri”.
Fjalën e hapjes e mbajti drejtori i IA, prof. dr. Hysen Matoshi, i cili vuri në pah rëndësinë e temës bosht të Konferencës, si dhe nevojën që të hidhet dritë e re shkencore mbi fatin e shqiptarëve gjatë Luftës së Parë Botërore.
Në seancën e hapjes ishte i pranishëm edhe zëvendësministri i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë, z. Nehat Mustafa, i cili, me këtë rast, mbajti një fjalë përshëndetëse.
Përveç studiuesve të të dyja instituteve kërkimore-shkencore, me kumtesat e tyre morën pjesë edhe studiues të tjerë nga institucione shkencore dhe arsimore të vendit dhe të rajonit. U lexuan 26 kumtesa, të cilat hodhën dritë të re në këtë ngjarje me rëndësi për njerëzimin, rrjedhimisht edhe për kombin shqiptar. U trajtuan gjithanshëm shkaqet, faktorët, rrethanat, pasojat etj. të kësaj lufte dhe ndikimi i tyre në hapësirën shqiptare.
Fjalën përmbyllëse të Konferencës e mbajti drejtori i IH, prof. dr. Sabit Syla.