E nderuara familje Shabani,
Të nderuar drejtues dhe kolegë të USHT dhe të UJL,
Me dhimbje të madhe e mësuan lajmin e ndarjes nga jeta të familjarit Tuaj, profesorit, studiuesit, kolegut tonë të çmuar, Prof. dr. Fejzulla Shabani.
Shkenca shqiptare gjeti në personalitetin e Prof. dr. Fejzulla Shabanit njeriun e përkushtuar për të vërtetën shkencore, intelektualin, i cili zëshëm dhe guximshëm i pohonte pikëpamjet e tij, pavarësisht nga konteksti dhe pavarësisht nga reagimet që pasonin.
Prof. dr. Fejzulla Shabani ka qenë njëri ndër bashkëpunëtorët më të rregullt të Institutit Albanologjik në dy dekadat e fundit, rrjedhimisht një dashamirës i madh i këtij institucioni, një mik i dashur për ne.
Prania e tij në aktivitetet tona shkencore i ka pasuruar në planin përmbajtjesor dhe të rezultateve shkencore studimet albanologjike. Kemi pasur nderin ta kemi edhe bashkëpunëtor në revistën “Gjurmime albanologjike” – seria e shkencave historike, ku për vite me radhë ka publikuar punimet e tij. Në edicionin e pestë të Javës së albanologjisë, mbajtur para dy muajsh, ishte në mesin e referuesve në sesionin e historisë. Fatkeqësisht, ishte paraqitja e tij e fundit midis nesh. E kemi të vështirë ta kuptojmë faktin se aktiviteteve tona shkencore, në të ardhmen, do t’iu mungojë njëri ndër kontribuuesit e dalluar të historiografisë sonë.
Megjithatë, ngushëllimi më i madh në këto momente na mbetet vepra e tij shkencore, profili i tij moral dhe intelektual, që mund të shërbejë për sjelljet dhe qëndrimin e gjithsecilit në kohë të turbullta dhe në rrugën e vështirë të shkencës.
Ndaj, të nderuar familjarë të Prof. dr. Fejzulla Shabanit, kolegë dhe miq të tij, na lejoni të marrim pjesë në dhimbjen Tuaj, duke ju porositur që, mbi të gjitha, të jeni krenarë me punën dhe me qëndrimin e tij.
Prishtinë, më 22 gusht 2014
Prof. dr. Hysen Matoshi,
Drejtor i Institutit Albanologjik