Një marrëveshje bashkëpunimi midis Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë (BKSh) dhe Institutit Albanologjik të Prishtinës (IAP) u nënshkrua në Tiranë më 4 qershor të vitit në vijim. Kjo marrëveshje shënon institucionalizimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve të deritashme të bashkëpunimit midis këtyre dy qendrave të rëndësishme të kulturës dhe shkencës kombëtare.
Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë zëvendësministri i Kulturës z. Zef Çuni, i ngarkuari me punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Tiranë z. Gani Veselaj, anëtarë të Këshillit Shkencor dhe të Këshillit Administrativ të BKSh, titullarë dhe punonjës të IAP etj.
Duke çelur këtë ceremoni drejtori i BKSh z. Aurel Plasari u uroi mirëseardhjen miqve nga Kosova si dhe përshëndeti të pranishmit. Ai theksoi se nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit dhe shkëmbimeve shënon ngjarje për të dy institucionet. Z. Plasari njoftoi ardhjen në BKSh, në formë dhurate, të një numri të konsiderueshëm botimesh të IAP si një vlerë hyrjesh të reja që u shtohet koleksioneve të saj albanologjike. Ai falënderoi drejtuesit dhe kolegët e IAP për kujdesin e treguar për pasurimin me botime të reja të koleksioneve tw BKSh. Z. Plasari foli edhe për përmbajtjen e Marrëveshjes, e cila parashikon organizime dhe pjesëmarrje reciproke në veprimtari të përbashkëta shkencore në fushën e albanologjisë dhe bashkëpunim në fushën e digjitimit të vlerave albanologjike. Marrëveshja parashikon edhe kontributin e specialistëve të IAP në Portalin Albanologjik Shqipëri – Kosovë.
Drejtori i IAP, Hysen Matoshi, e cilësoi nënshkrimin e Marrëveshjes me institucionin që ka në fondet e veta koleksionin më të madh albanologjik si ditë të shënuar. Ai falënderoi drejtorin Aurel Plasari dhe zëv.drejtoren Etleva Domi për gatishmërinë dhe angazhimin konkret për thellimin e marrëdhënieve midis dy institucioneve. E konsiderojmë nder, theksoi ai, që botimet e Institutit tonë të jenë pjesë e koleksioneve albanologjike të BKSh. Përtej detyrimit ligjor, tha z. Matoshi, ne ndiejmë obligimin profesional në këtë drejtim.
Marrëveshja u nënshkrua nga Prof. dr. Aurel Plasari, drejtor i BKSh, dhe Prof. dr. Hysen Matoshi, drejtor i IAP.
Të pranishmit vizituan ekspozitën me tituj të përzgjedhur nga donacioni me botime albanologjike të IAP për BKSh si shenjë simbolike dhe falënderuese. Ekspozita me titullin “Botime albanologjike në Kosovë” do të jetë e hapur në ambientet e BKSh për një periudhë njëjavore, përkatësisht nga data 4.6.2014-11.6.2014.