Përballja e lirisë me robërinë
Para 20 vjetësh, pikërisht më 8 mars të vitit 1994, shqiptarët e Kosovës përjetuan njërën ndër dhimbjet më të mëdha të robërisë së dekadës së fundit të shekullit XX. Institucioni i fundit publik, të cilin shqiptarët e kontrollonin jashtë sistemit robërues, Instituti Albanologjik, u pushtua me dhunë nga forcat policore e parapolicore serbe. I fituar në një kontekst të vështirë, i zhvilluar me shumë mund e përpjekje të inteligjencies shqiptare të kësaj hapësire etnike, Instituti, në periudhën e zhbërjes së institucioneve të Kosovës, kishte mbetur shenja e fundit kombëtare e shqiptarëve mbi të cilën pushtuesit ende nuk kishin vënë dorë, ishte edhe shpresa e madhe se të paktën diçka do të mbetej jashtë fushëveprimit të çmendurisë shoviniste serbe.
Pas shumë presionesh psikologjike e kërcënimesh verbale ndaj udhëheqjes e punonjësve të Institutit Albanologjik, të cilat nuk kishin dhënë rezultat, Serbia kishte vendosur që ta merrte objektin e tij me dhunë policore. Mirëpo, vendosmëri edhe më të madhe kishte në radhët e atyre të cilëve u përkiste godina e ngritur enkas për institutin e tyre. Me një zë të gjithë kolegët e asaj kohe (nuk kisha fatin ende të jem ende pjesë e asaj përbërjeje) vendosën që, pavarësisht pasojave për shëndetin dhe jetën e tyre, të mos e lëshonin objektin e Institutit, duke shënuar në këtë mënyrë rezistencën dhe kundërshtimin e parë të mirëfilltë fizik në raport me cenuesit e asaj pak hapësire të lirisë që u kishte mbetur shqiptarëve të Kosovës.
Në fakt, sikurse kujtojnë kolegët tanë, por edhe personalitete e veprimtarë të tjerët të asaj kohe, Instituti Albanologjik ishte kthyer në një referencë të gjithëmbarshme për institucionet e asokohshme të pavarura të Republikës së Kosovës. Ndërtesa nuk ishte më vetëm e një instituti shkencor, ngase aty zhvillonin veprimtari edhe Universiteti i Prishtinës, edhe Akademia e Shkencave, edhe Këshilli për të Drejtat e Njeriut, Forumi i Intelektualëve, Këshilli për Pajtimin e Gjaqeve, Këshilli i Financimit, shoqata të ndryshme kulturore, humanitare, parti politike, sindikata, institucione qeveritare etj. Me një fjalë, Instituti Albanologjik ishte bërë një Institut i Shqiptarëve, i organizimit të pavarur të mekanizmave jetësorë të shqiptarëve. Mediet shtetërore serbe madje e quanin edhe seli të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ishte e vërtetë e pamohueshme se udhëheqja dhe punonjësit e Institutit kishin sakrifikuar një pjesë të madhe të hapësirës punuese për interesin e përgjithshëm kombëtar: aty mbaheshin ligjërata, aktivitete shkencore, kuvende, mbledhje, përurime librash, koncerte të muzikës serioze, ekspozita të artit figurativ etj. Organet e dhunshme të administrimit të Kosovës, të instaluara arbitrarisht nga Serbia, nuk e duronin dot një bërthamë të pavarur të organizimit të lirë të shqiptarëve. Pas shumë kërcënimeve që vinin në trajta të vendimeve dhe ultimatumeve për lirimin e hapësirës së ndërtesës, në mbrëmjen e 8 marsit, eskortat ndëshkuese ndërhynë dhunshëm në ambientet e Institutit, duke ushtruar një dhunë të egër e kriminale mbi të gjithë të punësuarit, pa kursyer askënd: u rrahën drejtuesit e tij, profesorët e moshuar, punonjëset, invalidët, mysafirët e rastit, me një fjalë kushdo që ndodhej në hapësirën të cilën po e uzurponin me dhunë.
Pasojat ishin të mëdha. Skenat rrëqethëse: rrahje brutale dhe fyerje poshtëruese e dijetarëve shqiptarë, deri thyerje eshtrash, plagë, korridore të përgjakura dhe një plagë e madhe shpirtërore që iu shkaktua shqiptarëve kudo që ndodheshin. U mor edhe kalaja e fundit, shenja më identifikuese e shqiptarëve në kontekstin e atëhershëm institucional. Shumica prej atyre që rezistuan patën pasoja serioze shëndetësore, të cilat i përcollën gjatë gjithë jetës. Me gjithë pasojat, ky akt shënonte një pikë kthese të përballjes së dhunës me vendosmërinë për të ecur dinjitozë drejt lirisë.
Vendosmëria për të mos u dorëzuar para dhunës shtetërore dhe vizioni për të vijuar punën edhe në rrethana të tjera, kishte bërë që punonjësit e Institutit Albanologjik fillimisht të ruanin gjithë lëndën e pasur arkivore, bibliotekare, etnografike etj., si një pasuri e trashëgimisë sonë kulturore, e krijuar me punën, mundin dhe kujdesin e gjeneratave të tëra. Pa kaluar shumë kohë udhëheqja dhe punonjësit e këtij institucioni shkencor e vijuan punën në një objekt më të vogël, por pa i tkurrur objektivat e studimit të kulturës e të kaluarës shqiptare.
Mekanizmat ndërkombëtarë e patën dënuar rreptë këtë veprim të paprecedent të Serbisë ndaj kulturës e dijes shqiptare. Solidarësia e qytetarëve të Prishtinës bëri që materialet e tërhequra me kohë të mbijetonin në shtëpi private dhe të ruheshin nga shkatërrimi i sigurt.
Gjithsesi ky akt shënoi një kthesë vendimtare për zhvillimet e mëpastajme. Kundërshtimi verbal i politikës së kohës u kthye në një kundërshtim funksional e gjithëpërfshirës, i cili do ta diskreditonte rëndë veprimin e Serbisë. Nëse i mori pa zhurmë shumicën e institucioneve të Kosovës, pushtuesi po e kuptonte se tanimë, në mesin e shqiptarëve, po lindtte një frymë e re e kundërshtimit.
Më 8 mars të vitit 1994 liria u përball vendosmërisht me robërinë, për të shënuar fitoren përfundimtare mbi të pesë vjet më vonë.
Prof. dr. Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik, Prishtinë