E nderuara familje Raça,
Kolegë, miq, dashamirës të Profesor Shkëlzen Raçës,
Jemi sot së bashku në këtë mbledhje komemorative për të nderuar familjarin, shkencëtarin e çmuar, kolegun, mbi të gjitha njeriun e dashur për të gjithë, Profesor Shkëlzen Raçën, i cili, sot, në orët e hershme të mëngjesit, u nda nga kjo jetë. Pikëllimi i familjes, i kolegëve të Institutit Albanologjik, i komunitetit intelektual e shkencor të mbarë botës shqiptare, i të gjithë atyre që e kanë njohur, qoftë si person, qoftë veprën e tij historiografike, është i madh dhe fjalët ndonjëherë duken të pakta e të varfra që të shprehin gjithë dhembjen për këtë humbje të madhe. Dija e mirëfilltë shqiptare ka gjetur në veprën e Profesor Shkëlzenit një kontribut të rrallë shkencor, pa asnjë dyshim njërën ndër shenjat identifikuese të studimeve tona moderne, ishte kalibër intelektuali me të cilin historiografia jonë mund të matej me arritjet e atyre të kombeve më të përparuara, ishte një dijetar që denjësisht përfaqësonte të kaluarën tonë dhe që shkencërisht ia dilte ta argumentonte atë. Çfarëdo që të them në këtë fjalë, jam i bindur se do të thuhet e pakta e punës së tij, e shumta, esencialja, do të thuhet më pastaj, historia do të jetë vlerësuesja më e denjë e birit të saj, i cili për të, për historiografinë shqiptare, pa asnjë kursim, shkriu gjithë jetën dhe gjithë potencialin intelektual. U largua nga kjo botë, duke pasur deri në çastet e fundit preokupim përcaktimin e tij jetësor – punën studimore, më pak të tijën dhe më shumë atë të kolegëve, ndaj edhe diskutimet e fundit që i bëmë me të nuk ishin të lidhura me gjendjen e tij shëndetësore, por me materiet e me rezultatet studimore, të cilave me aq bujari ua fali pjesën më të madhe të jetës së tij të shkurtër.
Gjithsesi më lejoni të kujtoj me këtë rast rrugëtimin jetësor të Profesor Shkëlzen Raçës, i cili u lind më 1 janar të vitit 1951 në Skenderaj në një familje intelektuale e arsimdashëse. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Prishtinë, sikundër edhe studimet në Degën e Historisë. Në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës më 1977 mbrojti tezën e magjistraturës, të titulluar Lëvizja Kombëtare Shqiptare dhe Revolucioni Xhonturk, ndërsa më 1987 edhe temën e doktoraturës të titulluar Marrëdhëniet shqiptaro-greke 1829-1881. Për një kohë të shkurtër punoi si mësimdhënës në shkollat e mesme, ndërsa nga viti 1977 u punësua në Degën e Historisë të Institutin Albanologjik, ku edhe e dha kontributin e tij më të madh historiografik.
Është thënë shumë herë se historia e shqiptarëve mund të njihet në plotëninë e saj vetëm nëse trajtohet në kontekstin më të gjerë ballkanik, pra duke i parë zhvillimet historike të ndërlidhura në fatet e kombeve të ndryshme. Dhe pikërisht Profesor Shkëlzeni ishte ndër historianët e paktë që ia doli ta vinte të kaluarën e shqiptarëve në këtë kontekst, në saje të njohjes së gjuhëve, në saje të kulturës së gjerë që zotëronte, në saje të njohjes së shkëlqyeshme edhe të historive të kombeve në fqinjësi, të qartësimit të interferimeve, të marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve dhe kombeve të tjera e veçmas me grekët etj. Me një përgatitje të këtillë, ai kishte zotësinë që të përballte të vërtetën për kombin e tij me të pavërtetat që nga historiografi ballkanase e më gjerë sajoheshin me tendencën e zhvlerësimit të gjenezës dhe të rolit historik të shqiptarëve në Ballkan. Janë të shumta konferencat shkencore, ku argumentoi kontekstin në të cilin mbijetuan shqiptarët dhe në të cilin krijuan e ruajtën vlerat e tyre identitare, historike e kulturore. Qofsha gabim, por shpreh bindjen se një kalibër të këtillë historiani, me njohje kaq të gjera, shkencës sonë do t’i mungojë për një kohë të gjatë.
Pjesa më e madhe e kontributit shkencor të Prof. Shkëlzen Raçës është përmbledhur në veprat, përkatësisht monografitë e botuara në edicionin e Institutit Albanologjik. Fillimisht është vepra Marrëdhëniet shqiptaro-greke 1829-1881, e botuar më 1990, e cila përveçse kontribut për një materie të veçantë, historiografisë sonë mund t’i shërbejë edhe si një model i studimit të relacioneve historike ndërmjet shqiptarëve dhe kombeve të tjera. Se cila ishte rëndësia e saj dëshmon edhe fakti se kjo vepër u botua në tirazhin rekord për një vepër shkencore, përkatësisht në 4000 kopje, që aktualisht përbën tetëfishin e tirazhit të botimeve shkencore ndër ne. Vepra vijuese Shtegtimet dhe ngulimet e shqiptarëve në Greqi në shek. XIII – XVI, botuar më 2004, është po kështu një arritje e madhe e e tij, rëndësia e së cilës kap dimensionin e përgjithshëm për albanologjinë. Duke dëshmuar me dokumente bindëse shtrirjen e shqiptarëve pothuajse gjithandej Greqisë, Profesori ynë i nderuar i jep një goditje tezës mashtruese sllave e greke për kinse ekspansionin e shqiptarëve në Ballkan. Janë të pakta veprat që e trajtojnë periudhën e mesjetës, por edhe më të pakta janë ato që e trajtojnë me një nivel të këtillë dokumentues e argumentues. Vepra e fundit Gjurmime në historinë shqiptare, e botuar më 2009, është një përmbledhje e shumë kontributeve studimore, publicistike-historike, vlerësimeve, pikëpamjeve etj., të cilat jo rrallë i kishte si një mjet të fuqishëm për t’i dalë në krah, me dijen shkencore, çështjes shqiptare, veçmas duke demaskuar përpjekjet e qarqeve të caktuara greke që bëheshin me qëllimin e përvetësimit të besimit, të kulturës dhe të historisë së shqiptarëve të besimit ortodoks.
Pa dyshim ndër rezultatet më të çmuara të punës kërkimore-shkencore të Profesor Shkëlzen Raçës është edhe zbulimi i Evëtarit të dytë të Naum Veqilharxhit, nxjerrja në dritë e të cilit e ka plotësuar kulturën shqiptare të Periudhës së Rilindjes me një argument të fuqishëm të vetëdijesimit të asokohshëm kombëtar të shqiptarëve. Kushdo që do ta zbulonte, kam përshtypjen se gjithë jetës do të mburrej me një rezultat të këtillë, ndërsa Profesor Xeni, sikurse e quanim të gjithë ne, kolegët e tij, me një modesti të pashoqe, rrallëherë e përmendte, madje e theksonte vetëm si një shërbim për kulturën shqiptare.
Të shumta janë vlerësimet e punës shkencore të Prof. dr. Shkëlzen Raçës, veprat e të cilit janë përuruar e çmuar si arritje për mbarë historiografinë tonë. Pjesë e këtij vlerësimi ishte edhe propozimi që Këshilli Shkencor i Institutit Albanologjik ia bëri për anëtar të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Profesor Pëllumb Xhufi, recensuesi i parë, bashkë me kolegët e tij profesorët Xheladin Shala dhe Hamit Kaba, në rekomandimin e tyre shpreheshin: “Ne jemi të bindur se me Dr. Raçën si anëtar të saj, Akademia e Shkencave dhe e Arteve do të ketë një zë më shumë, të aftë e kompetent, t’iu japë përgjigje në nivelin më të lartë shkencor çështjeve të historisë sonë kombëtare, posaçërisht të atyre që lidhen me marrëdhëniet shqiptaro-greke”. Ndonëse zëri i aftë e kompetent shkencor i Profesorit nuk iu desh Akademisë, jam i bindur se ndër breza do t’i shërbejë historiografisë sonë.
Një dimension tjetër, jo më pak të rëndësishëm, e përbën karakteri i tij njerëzor në raport me të tjerët. I qetë, racional, sakrifikues… Prandaj, ne si kolegë nuk do ta kemi vetëm një shkencëtar më pak, ne do të na mungojnë përgjithmonë mirësjellja, miqësia, parimësia dhe dashamirësia e tij.
Të nderuar të pranishëm,
Pikëllimi ynë është i madh, dhembja për një humbje të këtillë është tronditëse, për familjen në rend të parë, farefisin, miqtë, por edhe për ne si kolegë e si Institucion në të cilin Profesor Shkëlzeni kaloi një pjesë të madhe të jetës. Me Institutin nuk ishte i lidhur vetëm profesionalisht, ishte shpirtërisht i përkushtuar, ndaj largimi i tij natyrshëm na prek në shpirt. Veçmas e vlerësojmë si një humbje të madhe faktin se po largohet nga ne të gjallët në kohën kur mund të ofronte edhe më shumë, po largohet pikërisht në zenitin e tij shkencor e intelektual.
Në atë zenit të shkëlqimit të tij profesional e njerëzor dhe me krenarinë se e patëm në mesin tonë një personalitet të këtillë, do ta kujtojmë gjithmonë shkencëtarin, kolegun e mikun tonë të dashur, Profesor Shkëlzen Raçën.
Prishtinë, më 25 shkurt 2014
Prof. dr. Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik