Dje (30.01.2014), u nda prej nesh, nga gjiri ynë, prej familjes së tij, nga shokët e tij, punonjësi shumëvjeçar në Degën e Historisë të Institutit Albanologjik Prof. dr. Muhamet Pirraku.
Prof. Pirraku lindi në fshatin Flamuras të Drenasit, më 12 tetor 1944. Shkollën fillore tetëklasëshe e mbaroi në vendlindje dhe në Bushat, Shkollën e Mesme Bujqësore në Prishtinë. Po në Prishtinë e mbaroi edhe Fakultetin Filozofik – Degën e Historisë. Studimet pasuniversitare i kreu në Universitetin e Zagrebit, ku magjistroi në tezën “Rinia përparimtare e Kosovës 1919-1941”, më 29 tetor 1976. Për gjashtë muaj specializoi në fushë të historisë së kulturës në Institutin e Romanistikës-Gjermanistikës së Universitetin e Vjenës, më 1979/80, kurse pas shumë krajatave politike, doktoroi, më 29 dhjetor 1988, në Degën e Historisë së Universitetit të Prishtinës, në temën: “Kultura shqiptare prej viteve 70 të shekullin XVIII deri në vitin 1878”. Interesim për krijimtari letrare shfaqi nga viti i dytë i shkollës së mesme, ndërkaq shkrimin e parë nga fusha e historisë së kulturës e botoi si absolvent në histori, më 7 prill 1968. Është autor i disa projekteve shkencore, të realizuara me përkushtim gjatë punës së tij në Degën e Historisë të Institutit Albanologjik, ku punoi deri në pensionimin e tij më 2008.
Jeta e vuri në sprova që në moshë të re. Për aktivitetin politik antijugosllav, Prof. Pirraku, u përcaktua në fillim të viteve 60 të shek. XX. Më 10 tetor 1960, e organizoi bojkotin e parë publik kundër mësimit në gjuhën serbokroate në Shkollën e Mesme Bujqësore të Prishtinës. Bojkoti do të kurorëzohet me plotësimin e kërkesës në vijimësi, brenda viteve shkollore 1960/1962.
Nga nëntori i viti 1963, Prof. Pirraku i takonte “Lëvizjes Revolucionare të Bashkimit të Shqiptarëve” të prometeut Adem Demaçi.
Kurse në vitet 70, Pirraku, i përkiste grupit të intelektualëve, i njohur si “Çeta e Bajo e Çerçiz Topulli”. Ishte krahu i djathtë i Ismail Dumoshit në përgatitjet e demonstratave studentore të “Nëntorit të 1968-s” në Prishtinë e rrethinë.
Prof. Pirraku, përkrah Halil Alidemës e Demë Fetës, organizoi përpjekjen studentore kundër “Stafetës së Titos”, më 26 mars 1981, që realisht ndikoi në masivizimin e “Demonstratës së 1 dhe 2 prillit 1981”. Do të përcillet këmba-këmbës deri më 4 gusht 1981, kur do të arrestohet me motivim se ishte “organizuesi kryesor i demonstratave të prillit 1981”. Më 19 gusht 1981, udbashët e torturuan mizorisht. U lirua më 4 gusht 1982. Me rastin e arrestimit të historianit Pirraku, Sigurimi Shtetëror Jugosllav ia konfiskoi atij pa kthim rreth dhjetë mijë faqe dorëshkrime: shënime të kujtesës historike, punime shkencore, shumë ditarë dhe rreth tridhjetëmijë vargje poetike si edhe literaturë historiografike e politike me vlera të mëdha për kohën.
Në Institutin Albanologjik të Prishtinës do të kthehet në punë nga fillimi i vitit 1984.
Pas shumë peripecive, nëpërkëmbjeve e persekutimeve politike, studiuesi Muhamet Pirraku, në tetorin e vitit 1988, arriti ta mbronte tezën e doktoratës.
Veprimtari i orëve të para, Dr. Muhamet Pirraku, duke mos hequr dorë nga aktiviteti politik kombëtar, sapo në Zagreb u ngrit “Shoqata e të Burgosurve Politikë”, nga fundi i vitit 1989 i tuboi disa të burgosur politikë më markantët të kohës dhe formoi “Shoqatën e të Burgosurve Politikë të Kosovës”, ndërsa, sapo u themelua “Lëvizja Demokratike e Kosovës”, mori rolin e aktivistit me përvojë për punë me masat, e që rezultoi me zgjedhjen e Dr. Muhamet Pirrakut kryetar të Degës së Dytë të LDK të Prishtinës, e cila e barti barrën organizuese të referendumit për Republikën e Kosovës të 26-30 shtatorit 1991.
Në fillim të “Aksionit Studentor Njëmujor për Faljen e Gjaqeve” (shkurtit 1990), Profesor Pirraku me fillimin e saj e bashkoi “Kryesinë e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës” me “Aksionin Studentor”, e në rolin e koordinatorit të “Kryesisë së Këshillit Qendror të Lëvizjes”, ndikoi që “Aksioni” të rritet në “Lëvizje për Pajtimin Kombëtar Shqiptar”, gjë që zgjati mbi dy vjet, me ndikim të madh në kthesën vendimtare shqiptare për çlirimin nga pushtuesi jugosllav.
Profesor Pirraku, me pseudonimin “Pajtim Shala”, realisht luajti rolin e një zëdhënësi të “Lëvizjes për Pajtimin Kombëtar Shqiptar”. Ai është i vetmi veprimtar i “Lëvizjes për Pajtimin Kombëtar Shqiptar”, i cili për dy vite të lëvizjes mbajti “Ditar” për 476 ditë.
Në fushë të dijes historiografike, prof. dr. Muhamet Pirraku, u bë emër i mirënjohur, me shkrime të guximshme të mbështetura në faktografi burimore. Me emër të tij, e me pseudonime, u botuan, mbi 6010 zëra bibliografikë-studime, artikuj, trajtesa, recensione, kritika, e fejtone historiografike, e mbi 49020 faqe A-4.
Përpos këtyre, Prof. Muhamet Pirraku i botoi edhe këto vepra:
-Kultura Kombëtare Shqiptare deri në Lidhjen e Prizrenit, Prishtinë, 1989 (Doktorata)
-Historia për klasën VII (bashkautor S. Rizaj), Prishtinë, 1975;
-Salih Gjukë Dukagjini: Shkrolaria e shqypes (nga osmanishtja: dr. Feti Mehdiu, mr. Mehdi Polisi), Prishtinë, 1991;
-Ripushtimi jugosllav i Kosovës 1945, Prishtinë, 1992;
-Kalvari i shqiptarësisë së Kosovës, TIVARI 1945, Prishtinë, 1993;
-Mulla Idris Gjilani dhe Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Lindore 1941- 1952,Prishtinë, 1995;
-Albania e Konicës, Prishtinë, 1995;
-Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët (bashkautor dhe kryeredaktor), Prishtinë, 1995;
-Lidhja Shqiptare “Besa-Besën” në burimet serbe 1892-1902, Prishtinë, 1996;
-Lëvizja Gjithëpopullore Shqiptare për Faljen e Gjaqeve 1990-1992. Kronikë, Prishtinë, 1998;
-Për kauzën shqiptare 1997-1999, Prishtinë, 2000;
-Dritë e re për kryetarin e parë të Shqipërisë Etnike (bashkautor dhe redaktor), Prishtinë, 2002;
-Jo katedrale në emër të shqiptarisë së imagjinuar, Prishtinë, prill 2003 (Botim i Dytë, i zgjeruar, qershor 2003);
-Myderriz Ymer Prizreni-Ora, Zemra dhe Shpirti i Lidhjes Shqiptare 1877-1887, Prishtinë, 2003;
-Arrestimet e Pjesëtarëve të TMK-së-Ç’është kjo?! (bashkautor dhe redaktor), Prishtinë, 2004;
-Tivari 1945-Kalvari i Kosovës, Prishtinë, 2005;
-Masakra në Burgun e Dubravës 19-24 maj 1999 (bashkautor dhe redaktor), Prishtinë 2005;
-Për kauzën e UÇK-së, Prishtinë, 2006;
-Për kauzën e shtetësisë së Kosovës, Prishtinë, 2008;
–Adem Guta ekzemplari i patriotizmit të gjeneratës (1916-1945), Prishtinë, 2008.
–Martirët e Shqipërisë Etnike nga Derë e Stak Mark Mirditës, Prishtinë 2011 dhe para pak kohësh botoi veprën “Hasan Prishtina – Vlerë Sublime e Kombit”, të cilën patëm fatin ta përuronim (22.11.2013) me praninë e tij pikërisht në këtë sallë.
Duke punuar për një kohë të gjatë në Institutin Albanologjik, përveç projekteve të realizuara, kumtesave të paraqitura e diskutimeve të bëra në aktivitetet shkencore, në mesin e kolegëve do të mbahet në mend edhe si një njeri i mirë, parimor, koleg i respektuar, gjithnjë i gatshëm të punojë e të bashkëpunojë me të tjerët.
Vdekja e tij, përveçse humbje e madhe për familjen, lë një zbrazëtirë të veçantë edhe në jetën e këtij institucioni, të cilin e konsideronte si shtëpi të dytë. Megjithatë, janë veprat e tij në historiografinë shqiptare ato që e bëjnë figurë të shquar e me kontribute të rralla, është veprimtaria e tij atdhetare që e bën pjesë të proceseve të historisë sonë më të re dhe janë kujtimet tona të mira për Profesor Muhamet Pirrakun ato që e mbajnë të përhershme praninë e tij midis nesh.